Site icon

Skandal / Rama do konsultohet për presidentin e ri me Lindën, Gjergj Lucën, Armand Dukën, Konsullatën Greke dhe Shoqatën e Dentistëve

Kryetari i PS Edi Rama, duke folur gjate nje konference shtypi, tre dite pas perfundimit te procesit te votimit per zgjedhjet lokale, ku ka prezantuar fituesen per kreun e bashkise se Konispolit Mimoza Arapi.

Maxhoranca socialiste ka bërë pjesë të konsultimeve për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës edhe bashkëshorten e kryeministrit Edi Rama, Linda Ramën, mikun e tij kontrovers, i njohur si oligarku i peshkut Gjergj Luca, Konsullatën Greke, Shoqatën e Dentistëve etj.

Gaxetari i Top Channel, Muhamet Veliu raporton se ftesa është dërguar përmes postës elektronike organizatave të shoqërisë civile bashkëlidhur me një dokument Exel të listës së listës e 451 organizatave jo qeveritare.

Në emër të Taulant Ballës ftesa është dërguar nga një punonjëse e kryesisë së Kuvendi Shqipërisë. Lista në Exel mban emrin “Shoqëria Civile për Presidentin”.
Në pamje të parë duket një proces normal, ku shoqërisë civile i kërkohet ajo që i takon: mendim dhe pjesëmarrje në një vendim të rëndësishëm sic është zgjedhja e Kreut të ri të Shtetit.

Por sa vlerë dhe kredibël është ky proces, e tregojnë faktet e mëposhtme.

Edhe shoqatat si ato të pyjeve dhe kromit, të grave për një bujqësi të qëndrueshme, të korrektimit e rehabilitimit njerëzor janë lutur nga socialistët të vijnë me propozime konkrete.

Në këtë listë është e përfshirë si organizatë jo qeveritare edhe Konsullata Greke në Korçë. Në të tilla kushte për herë të parë socialistët i japin të drejtë për të propozuar, jo minoritetit grek, por një shteti grek në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Shembujt interesantë se kush mund të propozojë emrin e Presidentit, nuk mbarojnë. Për shembull në Shqiperi ka edhe një Shoqatë Bamirëse e Detarëve të Shqipërisë e krijuar nga një person me emer ekzotik.

David Jonathan Pennoyer e ka mundësinë të propozojë pse jo ndonjërin prej detarëve të nderuar të vendit tonë për kryetar shteti, për shembull z. Gjergj Luca.

Por pjesa më qershi e tortës, zbulohet më poshtë.
Përmes një kontrolli të plotë të kësaj liste vihet re se ajo është shumë e vjetër dhe e pa-freskuar.

Aq e pa freskuar, sa për të dhënë një emër për presidentin e ri të vendit, në këtë listë figuron edhe bashkëshortja e kryeministrit Edi Rama, e cila ka akoma në ftesë si mbiemër, atë qe ka patur kur president ishte akoma Alfred Moisiu.

Zonja Rama nuk është më drejtuese e kësaj organizate, por kjo nuk e ka penguar partinë e bashkëshortit te saj, ta ftojë për të dhënë kontributin e saj në përzgjedhjen e presidentit të ri.

Por nuk mbaron me kaq.

Nëse i referohemi kësaj liste edhe presidenti RTV Ora Ylli Ndroqi është ftuar të japë mend si kryetar i “Shoqatës së Konsujve të Nderit në Shqipëri”, në procesin President përzgjedhës. Në fakt z. Ndroqi nuk është më kryetar i kësaj shoqate prej vitit 2018.

Ndërkohë nuk është me as konsull i Meksikës. Z. Ndroqi sot është vetëm një person i sanksionuar nga Departamenti i Thesarit i Shteteve të Bashkuara.

Z. Armand Duka mund të jetë në lufte me qeverinë, por Federata e Futbollit mund të propozojë kryetarin e shtetit, për shembull lojtarin e shkëlqyer Sulejman Demollarin.

Federata Shqiptare e Golfit, e cila megjithëse nuk ka asnjë fushe golfi në Shqipëri, mund të kërkojë për shembull që President i Republikës të jetë Dashamir Shehi.

Federata e skive që ka vetëm një atlet, që mori pjesë në dimëroren e Pekinit, gjithashtu është ftuar të propozojë.

Dhe listën komike të kësaj oferte serioze të qeverisë, e mbyll Federata e Xhudos. Me rrezikun që propozimi i saj për të rikandiduar Ilir Metën, t’i rrëzohet i pari, nga trojka protokollare socialiste në takimin e pasdites.

Exit mobile version