Elon Musk ka mohuar raportimet se ka komunikuar me Vladimir Putin përpara se të postonte një sondazh në Twitter me sugjerimet e tij për t’i dhënë fund pushtimit rus të Ukrainës.
Ian Bremmer, kreu i konsulencës së rrezikut politik të Grupit Eurasia, pretendoi se Musk i kishte treguar personalisht atij për bisedën me Putin.
Por miliarderi e mohoi kategorikisht këtë.
“Kam folur me Putinin vetëm një herë dhe kjo ishte rreth 18 muaj më parë. Tema ishte hapësira”, shkroi Musk në Twitter.
Javën e kaluar, CEO i Tesla-s u kërkoi 107.7 milionë ndjekësve të tij të votonin për mënyrat për të zgjidhur luftën në Ukrainë.
Mes alternativave ishte edhe mbajtja e votimeve në pjesë të Ukrainës të pushtuara nga Rusia që Kremlini thotë se i ka aneksuar. Komentet e tij u mirëpritën nga Moska.
“Rusia largohet nëse ky është vullneti i popullit”, u shpreh Musk.
Presidenti Putin ka shpallur tashmë katër rajone të Ukrainës si pjesë të Rusisë, pas të ashtuquajturave referendume, të cilat janë kritikuar nga Kievi dhe aleatët e tij perëndimorë. Rusia nuk kontrollon plotësisht asnjë nga katër rajonet.
Musk sugjeroi gjithashtu se bota duhet “formalisht” të njohë Krimenë, e aneksuar ilegalisht nga Moska në 2014.
Në një gazetë, Bremmer shkroi se Musk i tha atij se presidenti rus ishte “i përgatitur për të negociuar”, por vetëm nëse Krimea do të mbetej nën kontrollin rus, nëse Ukraina do të pranonte një formë neutraliteti të përhershëm dhe nëse Kievi do të njihte aneksimin rus të Luhanskut, Donetsk, Kherson dhe Zaporizhzhia.
Bremmer shtoi se se shefi i SpaceX i tha atij se “Putin i tregoi se këto synime do të arriheshin pa marrë parasysh çfarë” dhe se ekzistonte potenciali i një sulmi bërthamor nëse Ukraina pushton Krimenë.
Por Musk i mohoi këto pretendime: “Jo s’është e vërtetë. Unë kam folur me Putinin vetëm një herë dhe kjo ishte rreth 18 muaj më parë. Tema ishte hapësira.”
Sondazhi i Musk shkaktoi polemika të gjera. Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba tha se njerëzit që i propozojnë Ukrainës të heqë dorë nga populli dhe toka e saj “duhet të ndalojnë së përdoruri fjalën “paqe” si një eufemizëm për të lënë rusët të vrasin dhe përdhunojnë mijëra ukrainas të pafajshëm dhe të pushtojnë më shumë tokë”.
Mjeshtri rus i shahut Garry Kasparov e quajti postimin e Musk në Twitter “idiotësi morale, përsëritje e propagandës së Kremlinit, një tradhti ndaj guximit dhe sakrificës ukrainase”.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov mirëpriti sugjerimet e miliarderit, duke thënë: “Është shumë pozitive që dikush si Elon Musk po kërkon një rrugëdalje paqësore nga kjo situatë”.
Në fillim të luftës, miliarderi fitoi popullaritet të gjerë në Ukrainë pasi dërgoi një numër të terminaleve të tij të internetit Starlink në vend. Më pas ai u ftua për vizitë nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
Por postimet e tij të fundit në Twitter kanë çuar në marrëdhënie të përkeqësuar mes tyre.