Spanja po përballon një vapë të madhe, pasi temperaturat u rritën këtë fundjavë duke arritur deri në 15 gradë mbi mesataren e sezonit.
Me disa zona që arritën një temperaturë përvëluese deri në 44ºC të shtunën, kjo valë e paprecedentë e të nxehtit mund ta bëjë majin muajin më të nxehtë të shekullit.
Të paktën 13 rajone ishin në gatishmëri për shkak të nxehtësisë, tha Agjencia Shtetërore Meteorologjike e Spanjës AEMET, dhe temperaturat mund të provokojnë stuhi në pesë prej tyre.
“Këto ndoshta do të jenë ndër temperaturat më të nxehta që kemi parë në muajin maj në shekullin e 21-të”, tha zëdhënësi i agjencisë Rubén del Campo.
Mërkuri i termometrit shkoi në 42.3 gradë Celsius të premten pasdite në Andujar, në rajonin jugor të Andaluzisë, pasi arriti në 39.5 gradë të enjten.
Dy nga kryeqytetete provinciale të rajonit, Kordoba dhe Sevilla, gjithashtu patën temperatura të ngjashme.
Qeveria spanjolle i këshilloi të gjithë njerëzve të pinë sa më shumë lëngje, të kufizojnë aktivitetin fizik dhe të qëndrojnë në zona të freskëta sa herë që të jetë e mundur.
Temperaturat janë jashtëzakonisht të larta për pranverën e vonë, me një masë ajri të nxehtë dhe të thatë që bart pluhur nga Afrika e Veriut.
AMAET thotë se klimat e Afrikës së Veriut po lëvizin drejt jugut të Evropës, ndërsa shkencëtarët paralajmërojnë se valët e të nxehtit mund të bëhen shumë më të zakonshme dhe më intensive globalisht në vitet në vijim për shkak të ndikimit të krizës klimatike.
Kjo do të thotë se nga mesi i shekullit do të jenë më të shpeshta periudhat më të gjata dhe më intensive të thatësirës dhe, natyrisht, temperaturat më të larta.
Verat në një qytet relativisht të freskët spanjoll, si La Coruña, mund të jenë të ngjashme me klimën e qytetit maroken të Casablanca.
Vlerësohet se rreth dy mijë njerëz në vit vdesin në Spanjë për shkak të nxehtësisë së tepërt

