Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka paralajmëruar për një kërcënim në rritje të sulmeve kibernetike në luftën e vazhdueshme në Ukrainë.
“Kibernetika është një hapësirë e kontestuar vazhdimisht dhe kufiri midis paqes, krizës dhe konfliktit është i paqartë. Kjo është arsyeja pse NATO e ka marrë kaq seriozisht kërcënimin ndaj hapësirës kibernetike nga aktorët shtetërorë dhe jo shtetërorë për kaq shumë kohë.
Dhe kjo është arsyeja pse ne kemi ndërmarrë hapa për t’u mbrojtur nga sulmet kibernetike”, ka thënë shefi i NATO-s Jens Stoltenberg.
Duke u ndalur tek sulmet e fundit kibernetike kundër satelitëve, infrastrukturës dhe departamenteve qeveritare nga Rusia në Ukrainë ai u shpreh se NATO do të vazhdojë të mbështesë Kievin.
“Ukraina e ka zmbrapsur pushtimin e Rusisë përmes këmbënguljes së popullit të saj dhe mbështetjes së aleatëve të NATO-s. Ne do të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën për aq kohë sa të duhet”.
Stoltenberg u bëri thirrje aleatëve që të investojnë më shumë për mbrojtjen kibernetike me më shumë ekspertizë dhe bashkëpunim.
Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se tërheqja e trupave rusë nga Kherson nënkupton një tjetër fitore për Ukrainën.
“Duhet të shohim se si do të zhvillohet situata në terren në ditët në vijim. Por ajo që është e qartë është se Rusia është nën presion të madh dhe nëse ata largohen nga Kherson, do të ishte një tjetër fitore për Ukrainën”, tha ai pas bisedimeve me kryeministren italiane Giorgia Meloni në Romë.