Romelu Lukaku ka rilindur pas zhbllokimit në kombëtare, një muaj më parë dhe tani nuk kërkon që të ndalet më.
Madje, edhe mbrëmjen e djeshme ai ishte protagonist, sërish me penallti si në minutën e 90-të ndaj Juventusit, në Kupën e Italisë, por këtë herë goli i tij nuk vlen barazimin, por më shumë se gjysmë bilete për në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve. Në “Da Luz” belgu nuk rresht gjithashtu me festimin e tij, vetëm se këtë herë, përveç përshëndetjes ushtarake, nuk vë gishtin tek hunda, por te goja, ndoshta duke iu refuzuar sërish bardhezinjve, por në të njëjtën kohë formon edhe gërmën “M”, në formë dedikimi për të ëmën e tij, Adolfinë.
Suksesi 2-0 në “Da Luz” mund të jetë kthesa e madhe dhe e rëndësishme si për Lukakun, ashtu sikurse për Interin, siç pranon edhe vetë gjiganti i zikaltërve: “Penalltia është diçka psikologjike, përqendrimi. Unë nuk dëgjoj askënd, as shokët e mi të skuadrës madje për këtë argument, prandaj në fund e gjithë përgjegjësia më takon mua ndonëse edhe këtë herë shkoi shumë mirë”, bën hyrjen e tij Lukaku.
Romelu, i shënove Juves, Portos dhe sërish sot (dje)… Një gol më i rëndësishëm se tjetri. Dhe të mendosh se kishte nga ata që thonin se nuk jepje atë që duhej në ndeshjet e mëdha…
Po, e vërtetë dhe madje i kujtoj edhe arsyetimet e tyre, duke parë edhe paraqitjet e bëra më parë. Unë dua të ndihmoj skuadrën në çdo mënyrë dhe të rikuperoj kohën e humbur tashmë që jam rikthyer në fushë. Unë i pari, por edhe shokët e mi kemi përgjegjësinë për të bërë sa më mirë dhe për të ndihmuar klubin, ndonëse tani është koha që të kthejmë menjëherë kokën nga Monza, pasi edhe ajo është po aq e rëndësishme sa Benfika.
Na e shpjegon pak festimin e radhës?
Është një sekret. Ndoshta ua zbuloj në fund të sezonit. E rëndësishme është që topi përfundon në rrjetë kur na jepet shansi dhe jo mënyra e festimet. Madje, mendoj se këtu në Lisbonë bëmë një ndeshje shumë inteligjente, të cilën mund ta kishim fituar edhe 3-0 ose 4-0, por gjithsesi edhe dy gola avantazh janë një avantazh i mirë. Nëse këtë rezultat e përsërisim edhe në kampionat, në fundjavë, do të jetë gjithçka perfekte.
Si mund t’i shpjegosh dy rendimente të ndryshme, mes Serisë A dhe Ligës së Kampioneve?
Kjo është diçka që unë e mendoj shpesh me veten, por në të njëjtën kohë e bisedoj edhe me trajnerin dhe me shokët e skuadrës. Ndoshta, kjo do të thotë se duhet ende që të rritemi si grup, ndoshta jemi shumë të nxituar në një udhëtim shumë të gjatë si kampionati, por në Champions, ku duhen fituar ndeshjet që vlejnë, arrijmë të nxjerrim më të mirën.