Site icon

Te Juventusi janë besimplotë për Vlahoviç, tifozët kërkojnë të qëndrojë: Mos ik, je njëri prej nesh

Juventusi nis zyrtarisht sezonin e ri në një “Kontinasa” të pushtuar nga mbi 200 tifozë, të cilët përshëndetën një pjesë të beniaminëve të tyre, ndonëse adrenalina ishte në maksimum për njeriun e merkatos bardhezi, Dushan Vlahoviç. Nëse dikush në klub kishte dyshime për serbin, atëherë tifozët janë të gjithë me futbollistin serb, të cilët nuk nguruan që t’ia japin të qartë mesazhin klubit:

“Dushan, mos u largo. Qëndro!”… “Dushan, je njëri prej nesh, të duam në fushë me Juven”… Këto kore u shoqëruan edhe me buzëqeshje për Vlahoviçin, i cili më në fund ndien se nuk është harruar, përkundrazi ka të gjithë mbështetjen e ultrasve të skuadrës dhe pa dyshim që kjo do të ndikojë jo pak, jo vetëm në zgjedhjet e futbollistit, por edhe të klubit, me drejtorin e ri sportiv, Kristiano Xhuntoli, që e ka pasur dje takimin e parë me 23-vjeçarin dhe zërat e parë flasin për një tjetër shans. Edhe trajneri Masimiliano Alegri kërkon t’ia japë një të tillë, duke qenë më shumë sesa faji i Vlahoviçit, në sezonin e shkuar ishte loja e dobët e mesfushës ajo që nuk arriti të ekzaltojë cilësitë e ballkanasit.

Por me një Pol Pogba që po rikuperon më së miri dhe një Adrien Rabio që ka vendosur, sepse është gati për të luftuar dhe për të ndihmuar “zonjën e vjetër” që të kthehet te trofetë, sivjet mund të priten surpriza të mëdha. Madje, për ta shtuar edhe më shumë besimin në radhët e Vlahoviçit vjen edhe një garanci nga ana e Uros Domazet, përgatitësit person të numrit 9 bardhezi, i cili me anë të një “story” në rrjetet sociale ka vënë një bast personal: “Dushan është më i fortë se kurrë dhe më në formë sesa kurrë.

Do të shihni, këtë sezon ai do të kalojë kuotën e 30 golave. Më besoni!” Dhe në “Kontinasa” ndoshta vetëm për të justifikuar shpenzimin e tyre prej gati 80 milionë eurosh duhet ta mendojnë mirë këtë gjë dhe pse jo të provojnë të ndërtojnë këtë sezon një skuadër rreth Dushanit, i cili ka treguar se golat di t’i shënojë, nga ata të lehtit e deri te më të vështirët, edhe pse 14 realizimet dhe 4 asistet në sezonin e kaluar shuan disi euforinë rreth cilësive të 23-vjeçarit.

Exit mobile version