Site icon

Të parët në grup/ Silvinjo eviton eksperimentet, trajneri aktivizon “vetëm” 24 lojtarë

Nedim Bajrami dhe Jasir Asani kanë qenë dy yjet e Kombëtares shqiptare në ndeshjet e këtij edicioni kualifikues. Pesë gola bashkë, që përkthehen në pikë dhe vendi i parë në Grupin E, padyshim që një meritë këtu ka edhe Silvinjo për besimin që u ka dhënë dy mesfushorëve me tipare sulmuese.

Por jo vetëm, pasi tani shohim një Kristjan Asllani tjetër, një makineri shkatërruese si Ramadani në mesfushë dhe një mbrojtje të hekurt dhe të saktë, Hysaj në pozicionin e tij dhe Mitaj një zbulim tjetër nga braziliani në krahun e majtë.

Për të marrë 10 pikë në pesë ndeshjet e deritanishme, meritë kanë të gjithë lojtarët e angazhuar, por sa i përket shifrave, trajneri i Shqipërisë ka aktivizuar gjithsej 24 futbollistë të ndryshëm, ndërsa në total ai ka grumbulluar 34 të tillë, ku dhjetë prej tyre edhe pse kanë qenë me ekipin, nuk kanë zbritur asnjë minutë në fushë.

BILANCI- Duke e nisur nga porta, tri ndeshje i janë besuar Berishës dhe dy Strakoshës (të dyja me Poloninë). Në mbrojtje, Kumbulla, Mihaj dhe Balliu kanë qenë në fushë vetëm në muajin mars ndaj polakëve në një ndeshje, ndërkohë Ismajli, Gjimshiti dhe Mitaj kanë luajtur katër takime nga 90 minuta të plota. Rekordin në këtë repart e mban Elseid Hysaj, i cili ka luajtur të pesë ndeshjet.

Mbrojtësit i bashkohet vetëm Ylber Ramadani me minuta të plota (450), ndërsa më pas vijnë Jasir Asani, Nedim Bajrami dhe Kristjan Asllani. Pak minuta kanë marrë edhe Gjasula dhe Bare. Sakaq, në sulm është Cikalleshi, Uzuni dhe Seferi, që ka luajtur të gjitha ndeshjet në këtë edicion kualifikues.

TË PAAKTIVIZUARIT– Në listat e tij deri tani Silvinjo ka thirrur 24-25 lojtarë dhe ky numër patjetër që “djeg” disa sa i përket aktivizimit. Janë plot 10 futbollistë të grumbulluar nga 49-vjeçari, të cilët nuk kanë luajtur asnjë minutë. Abrashi, Ajeti, Veseli, Roshi, janë emrat më të spikatur që nuk kanë debutuar deri tani nën urdhrat e tij dhe kanë një eksperiencë të gjatë në ekipin kombëtar.

SUPERIORJA- Nëse do të rendisnim lojtarët e përfaqësueses që kanë kaluar nga kampionati shqiptar, do të gjenim 10 të tillë. Nga Cikalleshi, Uzuni, Muçi apo edhe te Muja e Daku. Në Superiore ka luajtur edhe Asani me Ramadanin, Roshi, Kastrati dhe Taulant Seferi.

SHQIPTARËT E RAJONIT – Aktualisht janë 10 futbollistë shqiptarë të Kosovës, të angazhuar në këto kualifikuese nga Silvinjo. Nga Etrit Berisha, Ismajli e Gjimshiti, dy afrimet e fundit të shtatorit si Muja dhe Daku janë lojtarë të lindur në Kosovë. Ndërkaq, Bajrami, Seferi, Asani, Selahi dhe Aliji janë shqiptarë të Maqedonisë së Veriut.

Exit mobile version