Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në një familje në Greqi, ku bashkëshorti 55-vjeçar i ka marrë jetën gruas së tij 46-vjeçare pas një sherri për motive ende të panjohura.
Krimi ka ndodhur në banesën e çiftit në Koukaki, në orën 1 pas mesnatës, duke u gdhirë e premte.
Autori, sipas informacioneve që kanë marrë mediat greke, ka goditur me thikë bashkëshorten e tij 46-vjeçare, pas një debati që përfundoi me krimin e rëndë.
Protothema raporton se çifti ishte vetëm në banesë dhe autori është larguar menjëherë me makinën e tij pas krimit.
Mësohet se çifti kishte një djalë të rritur i cili kishte dalë me shoqërinë atë natë.
Ka qenë pikërisht babai i tij që e ka telefonuar për t’i dhënë lajmin e rëndë.
“Të vrava nënën”, mësohet t’i ketë thënë babai 24-vjeçarit i cili ka nxituar për në banesë dhe ka gjetur në një pellg gjaku të pajetë nënën e tij.
Ai ka lajmëruar policinë dhe ambulancën por për mjekët ishte tepër vonë. Gruaja kishte ndërruar jetë.