Totenhemi shton presionin ndaj stolit të Graham Poterit, ndërsa fitoi 2-0 derbin e Londrës me Çelsin. Një kryevepër e Oliver Skipit nga distanca pak përpara pushimit i hapi rrugën fitores ndaj bluve, e cila u vulos nga goli i Herri Kejnit në fund.Ndërsa në stadiumin e Totenhemit festohej për një sukses të rëndësishëm, me skuadrën që vazhdon të drejtohet nga Kristan Stelini në mungesë të Kontes, stoli i Graham Poterit ka marrë një tjetër goditje në anën tjetër, ndërsa Çelsi ka fituar vetëm 2 nga 15 ndeshjet e fundit të kampionatit dhe e sheh vendin e katërt 14 pikë larg. Pak përpara ndeshjes, Poter pranoi se ai dhe familja e tij janë kërcënuar edhe me vdekje nga tifozët. Por pas ndeshjes, ai këmbënguli se përtej zhgënjimit dëshiron që ta kthejë situatën në “Stamford Bridge” dhe e ka krahasuar situatën e tij me atë të Jyrgen Klopit këtë sezon, por edhe me të Mikel Artetës gjatë krizës në stolin e “Topçinjve”.
REAGIMI – I pyetur nëse mbështetja e pronarëve do të vazhdojë edhe pas këtij rezultati, Poter tha në konferencën për shtyp: “Kjo pyetje do të bëhet gjithnjë dhe nuk mund ta ndalësh. Rezultatet janë ato që janë dhe unë e pranoj. Është pjesë e punës. Ne po flisnim përpara ndeshjes për dokumentarin e Arsenalit ‘Gjithçka ose Asgjë’ dhe dy vite për karrierën e Artetës, i cili ishte shumë pranë shkarkimit dhe tifozët nuk e donin. Dukej si një katastrofë, por gjërat kanë ndryshuar. Po të shihni situatën e Klopit, Liverpuli ka vuajtur dhe njerëzit kërkojnë shkarkimin e tij. Kjo është natyra e futbollit. Unë nuk kam bërë mjaftueshëm në këtë klub për të pasur shumë besim, e pranoj edhe këtë. Por profesioni im nuk është të shqetësohem shumë. E kuptoj pyetjen, por duhet të përpiqem që të vazhdoj të ndihmoj dhe mbështes lojtarët. Këta janë djem të mirë, duan të luajnë mirë dhe fitojnë. Por për momentin ne povuajmë dhe kjo është përgjegjësia ime”, tha ish-tekniku i Brajtonit. Çelsi është më pranë zonës së rënies (10 pikë) sesa zonës Champions. Ata kanë dështuar që të fitojnë në 8 transfertat e fundit në Premier Ligë (4 barazime, 4 humbje) dhe kjo është seria më e gjatë e tyre pa fituar jashtë fushe, që prej 16 ndeshjeve mes prillit 2000 dhe marsit 2001.