Site icon

Trafikanti Sokol Topçiu merr tendera nga arresti shtëpiak, u prangos si pjesë e grupit të ilaçeve kontrabandë

Kontrabandisti dhe bosti i rrjetit të farmacive ‘Farma Net Albania’, Sokol Topçiu, vijon të ‘fluturojë’ me paratë publike, edhe pas arrestimit me urdhër të Prokurorisë në tetor të vitit 2021, si pjesë e një grupi të organizuar me natyrë kriminale, i cili kishte ngritur një skemë për shitjen e ilaçeve kontrabandë gjatë pandemisë së COVID.

I pasionuar pas fluturimeve, jahteve dhe pazareve, Sokol Topçiu, edhe pas goditjes nga prokuroria, vijoi të kalonte në llogaritë e tij paratë publike, falë një lidhje klienteliste dhe ndoshta edhe më tepër me ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliun, për të cilën mburret nëpër tavolina se e ka në ‘xhep’.

Sokol Topçiu u arrestua në 11 tetor vitit 2021, ku më pas gjykata caktoi masën e arrestit shtëpiak. Në shkurt të vitit 2022, ‘Farma Net Albania’ e Sokol Topçiu ka lidhur edhe kontratën e fundit me Spitalin e Traumës vlerë 77 milionë lekë për furnizimin me ilaçe.

Si gjithmonë, oferta fituese është gati sa fondi limit, për shkak se tenderat për bosin e mbi 100 farmacive janë të paracaktuar, por skandali qëndron se një kompani nën masë sigurimi për kontrabandë, vijon të marrë tendera.

Vetëm disa ditë para të se të arrestohej, Topçiu ka marrë nga Manastirliu një tender me vlerë rreth 2 milionë USD, për furnizim me materiale mbrojtëse anti-Covid.

Tenderi është zhvilluar me negocim pa garë, pra me pazar në tavolinë, duke mos u kujdesur as për të zhvilluar një garë të paktën farsë. Oferta e Topçiut normalisht është sa fondi limit, ndërsa dyshohet se janë ndarë mes tij dhe Manastiruliut të paktën 1 milionë USD.

Që pasi Rama zëvendësoi Ilir Beqjan me Manastituliun, Sokol Topçiu u kthye në një nga përfituesit kryesor të parave në shëndetësi. Topçiu ka marrë rreth 200 tendera të dyshimtë nga Manastirliu dhe njerëzit e saj, ndërkohë që po zbatonte një skemë të shitjes së ilaçeve kontrabandë gjatë pandemisë.

Tashmë duket qartë se fitimi i tij në çdo tender, duke futur ilaçe kontrabandë, ka qenë më shumë se sa 50 %.

Aktualisht, Sokol Topçiu, pasi doli nga qelia, po tenton të mbyllë dosjen penale duke blerë prokurorë dhe gjyqtarë të korruptuar në Tiranë.

Helmi i gjarprit
Ilaçi “viper venom serum” në flakonë 5 ml, një bar i paregjistruar, qarkullon në Shqipëri vetëm nga “Farma Net Albania”, nëpërmjet një autorizimi të posaçëm, të nënshkruar nga ministrja Ogerta Manastirliu.

Ky lloj medikamenti gjendet edhe në flakonë me sasi të ndryshme, përfshirë 1 ml dhe 10 ml.

Por, shumë tendera të zhvilluar nga strukturat spitalore specifikojnë që duan të blejë “viper venom” në flakonë 5 mililitra, pikërisht atë që ka ekskluzivitet kompania e Sokol Topçiut.

Në Maj 2020, “Farma Net Albania” u shpall fituese e një tenderi të Ministrisë së Shëndetësisë me vlerë rreth 800 milionë lekë të vjetra, pikërisht falë “ekskluzivitetit” të medikamentit kundër helmimit nga gjarpri.

Më tej, thuajse të gjithë strukturat shëndetësore, në Tiranë e në rrethe, në tenderat e tyre, kërkojnë të blejnë serumin “Viper Venom” në flakonë 5 mililitra, pikërisht atë që është ekskluzivitet i “Farma Net Albania”.

“Farma Net” ishte një kompani e anonime dhe modeste në tregun farmaceutik shqiptar, por befas u rrit pas një lidhje të Topçiut me Manastirliun.

Kjo rritje galoponte i atribuohet kryesisht shpalljes fituese të “Farma Net Albania” në tenderat pa garë dhe me procedura jo-transparente, të zhvilluara gjatë vitit 2020 nga Ministria e Shëndetësisë dhe strukturat e saj të varësisë.

Exit mobile version