Site icon

U zgjodh drejtues i Akuzës së Tiranës! Si Arens Çela u rikonfirmua në detyrë nga vetingu me 2 vota pro e 1 kundër

Vetëm pak orë pas shkarkimit nga Komisioni i Posaçëm i Apelimit të kreut të Akuzës së kryeqytetit Elizabeta Imeraj, Këshilli i Lartë i Prokurorisë u mblodh për të shqyrtuar emrin e propozuar për t’u ulur në atë pozicion.

Ditën e djeshme, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka emëruar përkohësisht prokurorin Arens Çela, në detyrën e drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë. KLP-ja njofton se me propozim të Komisionit të Zhvillimit të Karrierës, Këshilli vendosi unanimisht të miratojë projekt-aktin për ndërprerjen e komandimit të prokurorit Arens Çela, në Prokurorinë e Përgjithshme dhe kthimin e tij në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, ku ka emërimin si prokuror.

Emërimi i tij vjen pas shkarkimit të drejtueses së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, Elizabeta Imeraj, nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Të pranishëm në mbledhje ishin të gjithë anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe të ftuarit përfaqësues nga programi “OPDAT”.

Arens Çela vjen nga Prokuroria e Përgjithshme për të drejtuar përkohësisht prokurorinë më të madhe në vend për sa iu përket prokurorive të rrethit. Në marsin e vitit të kaluar ai kaloi vetingun me dy vota pro dhe një kundër në KPK, por vendimi nuk u ankimua në institucionet e tjera nga komisioneri publik. Për pasojë, Çela vijoi në pozicionin në të cilin ishte në Akuzën Qendrore në Tiranë.

PËRBALLJA ME VETINGUN

Në fillimmarsin e një viti më parë, prokurori doli para trupës gjyqësore e përbërë nga tre anëtarë dhe nisi t’u përgjigjej pyetjeve për të tri kriteret e vlerësimit. Aso kohe, u bë me dije se prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme, Arens Çela u përball me datën 2 mars 2021 me pyetje mbi vendimmarrjen e tij në lidhje me dy çështje që kishte hetuar.

Çështja e parë që u ngrit kundër tij lidhej me një shtetas nga Fushë-Kruja, i akuzuar se kishte tentuar të vriste me sende të forta bashkëshorten e tij. Ajo e kishte denoncuar për të disatën herë në polici se burri e dhunonte. U tha se Çela i kishte kërkuar gjykatës dënimin e tij për “dhunë në familje”, ku ndryshe nga kërkesa e prokurorit, gjyqtarja e riklasifikoi veprën penale si “tentativë vrasje”, duke e dënuar të pandehurin me 22 vite burg.

Çështja e dytë lidhej me shoqërimin me forcë të një shtetasi nga policia e Beratit. Për rastin e Doçit, prokurori Çela u mbrojt para anëtarëve të komisionit duke përmendur “bindjen e brendshme” dhe rrethanat e rastit, ndërsa u justifikua me mbingarkesën për disa mangësi në çështjen e dytë.

HETIMI

Trupa që hetoi Çelën, që drejtohej nga Pamela Qirko, me relatore Firdes Shulin dhe anëtare Xhensila Pinen, vuri në dukje se nga hetimi i pasurisë ishin gjetur bilance negative në total prej 540 mijë lekësh, por që lidheshin me konsiderimin ose jo si të ligjshëm të pasurisë së prindërve të prokurorit, të cilët i kishin dhënë dy hua në shuma të ndryshme. Ndërkohë që nuk u vunë në dukje probleme në kriterin e figurës. Çela tha para komisionit se e vlerësonte maksimalisht procesin, ndërsa pretendoi se sqarimet e tij mbi shpenzimet e familjes së prindërve i sqaronin bilancet negative.

Në relatimin e hetimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit u bë me dije se ndaj Çelës kishte pasur 11 denoncime, por 10 prej tyre nuk ishin marrë në konsideratë pasi nuk kishin fakte mbi çështjen. Një denoncim nga një person i identifikuar si A. Xh, i cili siç doli nga relatimi fajësonte policinë për dhunë, ishte hetuar gjerësisht nga KPK. Komisioni vuri në dukje se Çela kishte hetuar akuzën ndaj A. Xh, për kundërshtim të forcave të policisë dhe po ashtu akuzën e këtij të fundit për dhunë nga ana e policisë. Hetimet për këtë akuzë të dytë ishin pushuar, por një vendim i Gjykatës së Beratit e kishte rikthyer për hetime çështjen, duke i lënë edhe disa detyra prokurorisë.

KPK tha se disa nga detyrat e lëna nga gjykata nuk ishin kryer dhe se vendimi i pushimit të hetimit nga prokurori nuk kishte marrë parasysh një ekspertizë mjeko-ligjore dhe kjo ekspertizë ishte referuar e ndryshuar. Çela u mbrojt për detyrat e pakryera duke përmendur mbingarkesën në këtë periudhë.

Ai tha se ishte një kohë kur prokuroria e Beratit kishte vetëm vendime ekzekutimi, 3 herë më shumë se ajo e Tiranës. Ndërsa duke iu referuar rastit ai tha se disa vlerësime ishin bërë me “bindje të brendshme”. Sipas prokurorit kishte dëshmi se dhuna e policisë ndaj A. Xh kishte ndodhur gjatë kohës që ai ishte shoqëruar, pasi ai kishte kundërshtuar Policinë dhe se një përfaqësues i Avokatit të Popullit që kishte qenë i pranishëm gjatë arrestimit kishte deklaruar se nuk kishte vënë re asgjë të paligjshme në shoqërimin me forcë.

Exit mobile version