Site icon

Vendi drejt katastrofës ekonomike, Bordi i Transparencës çon në “stratosferë” çmimet e karburanteve, Banka e Shqipërisë rrit interesat e kredive dhe depozitave

Vendi duket se po shkon drejt katastrofës ekonomike dhe qeveria për të mbushur gropën financiare, “ua fut” qytetarëve, duke rritur çmimet. Sinjalin më të freskët të grabitjes së shqiptarëve e ka bërë Bordi i Transparencës, i cili në vendimin më fundit të publikuar dje, reflekton një rritje të çmimeve të karburanteve në vend, duke nisur nga çmimi i naftës që ka pësuar rritje me 5 lekë. Në një njoftim të bërë dje nga Bordi, bëhet me dije se nga 182 lekë që ishte, tashmë nafta do të shitet me 187 lekë. Rritje ka shënuar edhe çmimi i benzinës, që nga 182 lekë, tashmë do shitet me 185 lekë, duke shënuar rritje me 3 lekë. Kujtojmë se vendimi i publikuar në 16 mars, shënoi edhe çmimin më të ulët të karburanteve në vend që prej krijimit të Bordit të Transparencës. “Si rrjedhojë çmimet e vendosura janë : Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 187 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 175 lekë/litër. Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 185 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 173 lekë/litër. Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 75 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 63 lekë/litër për automjetet. Çmimi i gazoilit për peshkim është vendosur 93 lekë/litër. Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi në datë që nga ora 18:00 e ditës së sotme dhe do të jenë në fuqi deri në mbledhjen e radhës”, thuhet në njoftim.

Banka e Shqipërisë rrit normën e interesit nga 2.75% në 3%

Ndërkohë, për shkak të nivelit të lartë të inflacionit që vazhdon të dominojë në ekonominë shqiptare, norma e interesit u rrit sërish nga Banka e Shqipërisë duke shkuar 3 %. Kjo rritje argumentohet me normën e lartë të inflacionit që vijon të mbizotërojë në ekonominë shqiptare, bëri të ditur dje Guvernatori Gent Sejko gjatë një konference për shtyp. “Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi: të rrisë normën bazë të interesit, nga niveli 2.75% në nivelin 3.00%; të rrisë normën e interesit të kredisë njëditore, nga niveli 3.75% në nivelin 4.00%; të rrisë normën e interesit të depozitës njëditore, nga niveli 1.75% në nivelin 2.00%”, deklaroi Sejko.

Inflacioni

Për Bankën e Shqipërisë shqetësim mbetet inflacioni ende në norma të larta, pavarësisht tendencë në rënie që ka shfaqur në muajt e fundit. Sipas Sejkos, kjo rënie është nxitur nga inflacioni i importuar, teksa ekonomia ka njohur rritje.”Kjo dinamikë është mbështetur nga rritja e të ardhurave të disponueshme, nga përmirësimi i besimit të biznesit e të familjeve, nga bilancet e shëndosha të sektorit privat, si dhe nga kushtet ende stimuluese financiare”, tha Sejko. Lajm i mirë, sipas Sejkos është rritja e rrogave në sektorin e privat me 14% në terma vjetor, çka ka nxitur rritjen e kërkesës për mallra e shërbime. “Kjo rritje ka mbështetur zgjerimin e të ardhurave të disponueshme të familjeve shqiptare, ka ushqyer zgjerimin e konsumit familjar si dhe ka ndihmuar qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike. Nga ana tjetër, ajo ka rritur kostot e prodhimit të biznesit dhe ka lehtësuar përcjelljen e rritjes së çmimeve nga tregjet e huaja në ekonominë vendase”, tha Sejko. Ndër të tjera, Sejko tha se tregu sugjeron se inflacioni pritet të shënojë rënie graduale gjatë tremujorëve në vijim dhe të kthehet në objektiv gjatë mesit të vitit të ardhshëm. Po ashtu, rritja ekonomike pritet të jetë pozitive, ndonëse ritmi parashikohet të shënojë një ngadalësim të lehtë gjatë vitit aktual.

Exit mobile version