Site icon

VIDEO/ Kosova fiton mes drithërimave, mbeten gjallë shpresat para “finales” me Greqinë.

Kosova ka marrë sot fitoren e saj të dytë në grup në Ligën e Kombeve, duke mundur me shifrat 3-2 Irlandën e Veriut në një ndeshje e cila mban gjallë shpresat e “Dardanëve” për të fituar grupin e për t’u ngjitur në një ligë më lart.

Skuadra e Kosovës ka dominuar të gjithë duelin dhe e ka vënë në rrjedhën e duhur që në minutat e parë me golat e Muriqit dhe të Bytyqit. Por goli në fund të pjesës së parë nga Laveri komplikoi disi gjërat për skuadrën e Zhires.

Ishte përsëri Kosova që tundi rrjetën me anë të Muriqit në fillimin e pjesës së dytë, duke iu afruar ndjeshëm fitores. Sukses që erdhi me drithërima në minutat e fundit, kur Ballard shënoi për ekipin mik dhe më pas ata krijuan edhe raste të tjera para Ujkanit, për fat pa arritur të mposhtnin përsëri gardianin e Kosovës.

Kështu, Kosova mori tre pikët që i duheshin për të mbajtur hapin e Greqisë, me të cilën luan pas tre ditësh atë që është finalja e grupit, pasi një fitore hap plotësisht kualifikimin, ndërsa një humbje praktikisht i jep grekëve vendin e parë në grup.

 

Exit mobile version