Site icon

“Vlon” shitja e pronave në vit krize, në 2022 shqiptarët paguan 62 mln euro tatim, 53% më shumë se 2021

Tregu i pasurive të paluajtshme në vend vijon të jetë dinamik dhe të ketë kontribut të konsiderueshëm edhe në arkën e shtetit. Referuar të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, në vitin 2022, qytetarët shqiptarë kanë paguar më shumë tatim për transaksionet e pasurive të paluajtshme. Konkretisht, shqiptarët kanë derdhur në buxhetin e shtetit 61.8 milionë euro gjatë vitit që lamë pas, apo 53.1 për qind më shumë se viti 2021. Por çfarë ka ndikuar në këtë rritje të lartë në një vit krize për qytetarët shqiptarë, ku janë përballur me çmime të rritura të karburantit, ushqimeve, shërbimeve, etj?  Sipas ligjit në fuqi për tatimi mbi të ardhurat, fitimi kapital i realizuar si rezultat i kalimit të së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme, ndërtesë, truall dhe tokë bujqësore, tatohet me normën 15% . Pra e thënë ndryshe qytetarët shqiptarë për çdo shitje të një banese, ambienti komercial apo pasurie të paluajtshme tokë, paguajnë tatim 15 për qind, të diferencës ndërmjet vlerës në blerje të pasurisë dhe vlerës së saj në shitje. Nëse një apartament është blerë apo rivlerësuar në vlerën 60 mijë euro dhe shitet në vlerën 80 mijë euro, shitësi paguan 15 për qind të diferencës prej 20 mijë euro, apo 3 mijë euro. Kështu, një nga arsyet e rritjes së vlerës së tatimit të paguar mund është rritja e çmimeve të banesave gjatë vitit 2022, gjë që ka sjellë përftim më të lartë për qytetarët por edhe më shumë detyrim në taksim. Arsye tjetër është fakti që pavarësisht krizës në tërësi, agjencitë imobiliare kanë raportuar se nuk ka pasur rënie të transaksioneve, çka do të thotë se tregu i pasurive të paluajtshme ka vijuar aktivitet normal dhe po ashtu ka pasur bum ndërtimesh të reja, të cilat janë edhe ndër më të preferuarat për blerje.

Exit mobile version