BUCHA, Ukrainë- Personi i parë mbërriti në orën 7:27 të mëngjesit. Ushtarët rusë i mbuluan kokën dhe e shtynë drejt një godine zyrash pa emër.
Dy minuta më vonë, një zë i mbytur lutej përmes qetësisë së mëngjesit. Përgjigja e pamëshirshme ishte: “FOL!!! FOL!!!”.
Ishte një mëngjes gri dhe i ftohtë, data 4 mars, në Bucha të Ukrainës. Deri në mbrëmje, të paktën nëntë persona do të përshkonin rrugëtimin e vdekjes drejt godinës nr 144 në rrugën Yablunska, objekt të cilin rusët e kishin shndërruar në një tjetër epiqendër të dhunës që do të trondiste mbarë botën.
Ajo çfarë ndodhi atë ditë në Bucha, quhej nga ushtarët rusë “zachitska” gjatë telefonatave të regjistruara – fjala do të thotë spastrim. Ushtarët rusë kapnin persona emrat e të cilëve gjendeshin në lista të përgatitura nga shërbimet e tyre të zbulimit, si dhe shkonin derë më derë për të identifikuar dhe vrarë personat që konsideroheshin me rrezikshmëri.
Agjensia e lajmeve Associated Press dhe emisioni “Frontline” i rrjetit PBS siguruan pamje të kamerave të survejimit në Bucha, ku shfaqet për herë të parë se si u bënë operacionet e spastrimit në Ukrainë.
Vetëm përgjatë rrugës Yablunska, policia ukrainase gjeti rreth 40 kufoma. Prokurorët kanë arritur të identifikojnë deri më tani 12 prej tyre.
Gazetarët e AP-së dokumentuan një trup të 13-të në shkallët e njërës prej godinave të kompleksit, me filmime dhe fotografi të marra më 3 prill.
—
Në kuadrin e një investigimi të përbashkët, agjensia e lajmeve Associated Press dhe emisioni “Frontline” shqyrtuan qindra orë filmime nga kamerat e survejimit në Bucha dhe verifikuan regjistrimet e telefonatave nga ushtarët rusë në bashkëpunim me Qendrën Dossier, një organizatë investigative me seli në Londër. Gjithashtu, kompania nga Nju Jorku SITU Research, rindërtoi rrjedhën e ngjarjeve duke përdorur një model tre dimensional të qytetit Bucha.
—
Në 3 mars, një autokolonë ruse që dukej se nuk kishte fund arriti në Bucha përgjatë shinave të trenit. U dha urdhëri për evakuim.
Në kaosin e krijuar gjatë përparimit të forcave ruse, tetë vullnetarë ukrainas u veçuan nga të tjerët. Ata u fshehën në një shtëpi me tulla aty pranë dhe dëgjonin në heshtje kërcitjet e armëve dhe lëvizjen e tankeve ruse.
Rreth orës 10 të mëngjesit të ditës tjetër, vullnetari Andrii Dvornikov i telefonoi gruas së tij, Yulia Trubas, dhe i tha që të fshinte të gjitha gjurmët e komunikimit me njëri-tjetrin.
Pak më vonë, ushtarët rusë thyen derën e shtëpisë dhe morën nëntë persona me vete, duke i akuzuar se po ndihmonin ushtrinë e Ukrainës. Dy ushtarë rusë i drejtuan burrat nën kërcënimin e armëve në rrugën e lagësht dhe të akullt për në adresën 144 Yablunska, duke i sharë ndërsa ata lëviznin me këmbët e mbathura vetëm me çorape.
Ushtarët i detyruan të gjunjëzoheshin. Më pas, shoferi i taksisë Ivan Skyba pa se si ngritën personin që qëndronte pranë tij dhe e qëlluan me plumb në kokë.