Nëse do të xhironim një serial për drejtësinë shqiptare, Saranda do të ishte vendi ideal për episodin pilot. Në qendër të ngjarjeve, jo një aktore hollivudiane, por prokurorja lokale Esmeralda Basho, e cila me sa duket, ka kthyer Prokurorinë e Sarandës në një studio magjish, prova që zhduken, video që treten dhe hetime që çuditërisht përfundojnë në drejtim të paditur.
Emisioni investigativ “Stop” në Tv Klan ka ngritur vazhdimisht alarmin për veprimet e dyshimta të prokurores Basho, e cila tashmë është kthyer në simbolin e mosfunksionimit të sistemit të drejtësisë në këtë qytet jugor. Denoncimet janë të shumta dhe në çdo rast, skema është pothuajse identike: ndodhin ngjarje të rënda, shfaqen pamje filmike, por… ato thjesht nuk merren. Ose më keq, zhduken.
Skandali i tritolit dhe çudia me kushërinjtë
Një ndër ngjarjet më të rënda ndodhi në qershor të vitit 2022, kur në banesën e ndërtuesit Lefter Lefteri u vendos tritol. Në një vend normal, kjo do të shkaktonte alarm dhe mobilizim të menjëhershëm të organeve të hetimit. Por në Sarandë, i vetmi që lëvizi ishte… dosja.
Çështja i besohet pikërisht prokurores Basho. Por nuk është vetëm ajo që bie në sy. Agjenti i policisë që caktohet për të këqyrur vendin e ngjarjes dhe për të marrë pamjet filmike është Mariglen Basho, djali i xhaxhait të prokurores. Pra, një hetim familjar, me etikën e konfliktit të interesit që ulëret, por që në Sarandë duket si një çështje e vogël.
Dhe sigurisht, pamjet nuk u morën kurrë. Kur më vonë dolën në rrjetet sociale, në vend që të shërbenin për zbardhjen e ngjarjes, ato u bënë shkak për një hetim absurd të nisur nga vetë prokurorja ndaj shefit të komisariatit të qytetit, të cilin e akuzoi për shpërdorim detyre. Arsyeja? Sipas saj, shefi i policisë duhet të kishte marrë pamjet që… në fakt ishin detyrë e kushëririt të saj!
Konflikt interesi? Po, por vetëm në letër
Prokurori i Rrethit Gjyqësor Sarandë, Kledian Llaho, pasi pa çfarë po ndodhte, vendosi të tërhiqte prokuroren Basho nga çështja, për shkak të konfliktit të qartë të interesit. Por zonja Basho nuk e pranoi këtë vendim dhe e ankimoi në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Pavarësisht përpjekjeve për të qëndruar në hetim, KLP rrëzoi ankesën.
Por ky nuk është rasti i vetëm ku Basho është përballur me dyshime të rënda për shkelje ligjore.
Dosjet që avullojnë dhe telefonët që s’lanë gjurmë
Aktualisht, ndaj prokurores është regjistruar një procedim penal nga Prokuroria e Sarandës, i ndjekur nga prokurorja Hava Memko. Akuza: shpërdorim detyre dhe zhdukje e fashikullit penal. Bëhet fjalë për një çështje që lidhet me shtetasin Krenar Islamaj, ku edhe një herë, pamjet filmike dhe një telefon janë zhdukur, rastësisht, pikërisht në duart e Bashos.Pra, kemi të bëjmë me një model pune ku, pamjet komprometuese nuk merren.Telefonat me prova “humbasin”.Aktet zhduken.
Avokati Arben Llangozi, i njohur për përfshirjen në çështje të ndjeshme, thekson se në disa raste të njëpasnjëshme, prokurorja Basho dhe kushëriri i saj kanë shmangur marrjen e pamjeve filmike dhe kanë ndikuar në rrjedhën e ngjarjeve, duke deformuar të vërtetën. “Në vend që të kërkohej drejtësia, është kërkuar të mbyllet zullumi. E vërteta është manipuluar, dhe kjo është më shumë se shpërdorim detyre, është tallje me shtetin dhe qytetarët,” deklaron ai.
Ironia më e madhe është se në një sistem drejtësie që teorikisht ka kaluar vetting, Esmeralda Basho është ende në detyrë. Me dosje të zhdukura, me hetime të ndryshuara, dhe me një zinxhir familjar të përfshirë në çështje penale, ajo është simbol i qartë i asaj që nuk funksionon.
Sepse kur prokurorja harxhon më shumë kohë duke hetuar viktimat sesa autorët e ngjarjeve, kur pamjet zhduken si me shkop magjik, dhe kur drejtësia familjarizohet, atëherë pyetja nuk është se ku jemi si shtet, por, a kemi ende shtet?

