Site icon

Zingraf: Hezitimi i investitorëve gjermanë jo vetëm nga COVID-19, ka arsye strukturore

Intervistë me Peter Zingraf, Ambasador i Gjermanisë në Shqipëri

Është e vërtetë që COVID-19 ndryshoi planet e biznesit të zgjerimit për shumë investitorë, por pandemia nuk mund të jetë arsyeja e vetme pse ata nuk kanë ardhur në Shqipëri në dy vitet e fundit.

Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Peter Zingraf, shprehet se përpos pandemisë mund të ketë edhe disa arsye strukturore që investitorët gjermanë kanë qenë jo dhe aq të pranishëm në vendin tonë, dhe këto lidhen me qëndrueshmërinë dhe parashikueshmërinë e politikave fiskale, zbatimin e ligjit për transparencën e prokurimeve publike, apo garantimin e një tregu konkurrues për të gjithë aktorët.

Zingraf shprehet se këto janë përshtypje që sipërmarrjet i raportojnë dhe sipas tij, është mirë që dhomat e biznesit të dëgjohen për problemet që ngrenë.

Gjermania ka pasur një angazhim të vazhdueshëm me projekte në Shqipëri nëse u referohemi disa sektorëve specifikë me projekte konkrete. Si paraqitet ky angazhim aktualisht?

Programet e qeverisë sonë po vazhdojnë. Për shembull, KfW ka mbështetur qeverinë shqiptare në reformën e sektorit të energjisë, duke dhënë kredi në bazë të politikave.

Transhi i parë është paguar vitin e shkuar dhe transhi i dytë do të vijë kur të arrihen objektivat. Po mbështesim reformën në këtë sektor, por kemi një fokus të gjerë edhe tek ekonomia lokale që edhe kjo po vijon.

Po nëse flasim për angazhim të kompanive private gjermane për të investuar në Shqipëri?

Duhet të nis me anën tjetër. Kur kompanitë vijnë në ambasadë është për problemet. Është një shenjë e mirë kur kompanitë nuk vijnë në ambasadë dhe vijojnë me projektet. Kjo ndodh shumë shpesh, por zakonisht shumë prej tyre vijnë tek ne si informatorë për projektet e tyre. Kompanitë në disa raste e bëjnë kërkimin vetë dhe në të tjera, jemi ne që i këshillojmë.

Konkretisht ka disa zhvillime në energji, veçanërisht ajo nga dielli dhe në sektorin e IT. Mund të them se ka projekte që janë në zhvillim, por nuk janë finalizuar. Pra kemi komunikim dhe shpresojmë që do të dalim nga “pushimi” i COVID-19, i cili ishte i gjatë dhe nuk pati shumë lëvizje.

Exit mobile version