Milan Skriniar është zyrtarisht futbollist i PSG-së dhe ditën e sotme, mbrojtësi sllovak është prezantuar nga klubi parisien. Skriniar transferohet në Francë me parametra zero duke qenë se kontrata e tij me Interin përfundoi dhe palët nuk arritën në dakordësi për rinovimin e saj.
Skriniar ka firmosur me PSG-në një kontratë 5 vjeçare që e mban në Paris deri në 30 qershor të vitit 2028. Për këtë merkato vere, Skriniar është prezantimi i parë që Parisi bën në epokën e trajnerit Luiz Enrike, pavarësisht se akordi mes palëve ishte arritur që në janar.
“Ishte një zgjedhje e thjeshtë për mua. Kur një klub si PSG dëshiron të të marrë, zgjedhja bëhet shpejt. Kur mora vesh që kisha mundësi të vija këtu, u gëzova shumë.
Jam shumë krenar që jam pjesë e kësaj familjeje shumë të bukur të PSG-së dhe mezi pres të takohem me tifozët. Parisi është magjik”, shprehet Skriniar në deklaratën e tij të parë si futbollist i PSG-së.

