Site icon

1 korriku, testi final për KQZ/ a do të mbrohet sërish mandati i Kreshnik Hajdarit?

Çështja e kryetarit të Bashkisë Kuçovë, Kreshnik Hajdari, rikthehet më 1 korrik në tryezën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në një nga vendimmarrjet më të rëndësishme për zbatimin e ligjit të dekriminalizimit.

Në rendin e ditës së KQZ-së, çështja e Hajdarit është listuar si çështje e mbartur për shqyrtimin administrativ të rezultatit të verifikimit për subjektin vetëdeklarues, Kreshnik Riza Hajdari, kryetar i Bashkisë Kuçovë, i propozuar nga Partia Socialiste.

Ky nuk është më një rast i zakonshëm verifikimi. Ky është një kalvar institucional që zgjat prej vitesh dhe që tashmë ka kaluar në disa faza, denoncim, verifikim, procedim penal, vendim gjykate, vendim të formës së prerë, debat në KQZ, tërheqje e Komisionerit Celibashi dhe rikthim i çështjes pas vendimit të KAS.

Në qendër të dosjes është fakti se Hajdari nuk kishte deklaruar në formularët e dekriminalizimit një dënim të marrë në Greqi në vitin 1999. Për këtë çështje, ai u procedua nga SPAK dhe u dënua nga GJKKO për falsifikimin e formularëve. Sipas raportimeve publike, vendimi penal ka marrë formë të prerë, pavarsisht këtij fakti Celibashi sërish e ka favorizuar Kreshnik Hajdarin.

Pavarësisht këtij zhvillimi, Hajdari vijon të mbajë mandatin e kryetarit të Bashkisë Kuçovë.
Kjo është pika ku nis debati më i madh, a po zbatohet ligji njësoj për të gjithë, apo kur bëhet fjalë për një kryebashkiak të mazhorancës, institucionet zgjedhore hyjnë në zvarritje procedurale?

Më herët, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, u tërhoq nga shqyrtimi i çështjes, pas pretendimeve për konflikt interesi, për shkak se ishte shprehur më parë për këtë rast. Por Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve e rrëzoi këtë rrugë procedurale dhe vendosi që çështja të kthehej për shqyrtim në themel.

Me fjalë të tjera, KAS i ka kërkuar KQZ-së të mos fshihet pas procedurave, por të marrë vendim.

Tani, më 1 korrik, pyetja është e drejtpërdrejtë, a do të marrë Ilirjan Celibashi një vendim mbi mandatin e Kreshnik Hajdarit, apo do të prodhohet një tjetër manovër për ta mbajtur çështjen pezull?

Rasti Hajdari nuk është më vetëm çështje e Kuçovës. Është test për KQZ-në, për ligjin e dekriminalizimit dhe për standardin që përdoret ndaj zyrtarëve të zgjedhur.

Exit mobile version