BE refuzon, qeveria nuk tërhiqet për amnistinë fiskale dhe të ashtuquajturat pasaporta të arta. Sa i përket nismës qeveritare për të formalizuar paratë jashtë sistemit bankar, Brukseli ende po këmbëngul përmes negociatash që pala shqiptare të rishikojë draftin. Unioni kërkon garanci që Shqipëria të mos kthehet në një oazë të pastrimit të parave. Për zv/ministrin e Financave, njëkohësisht edhe një nga anëtarët e grupit negociator, Besart Kadia, si amnistia ashtu edhe marrja e shtetësisë shqiptare në këmbim të investimeve në vendin tonë nuk janë ende në fazën që mund të cenojnë Shqipërinë në procesin negociues me BE.
“Edhe vende anëtare shpeshherë marrin iniciativa ligjore që Komisioni Europian mendon se nuk duhet ndërmarrë. Do të kujtoja vendet e Europës lindore. Nuk jemi në kushtet që kemi ndërmarrë një ligj specifik që është miratuar dhe ata kanë thënë se kjo do t’iu kushtëzojë në rrugën e integrimit europian. Për sa kohë nuk ka ndodhur atëherë është pyetje hipotetike e cila do të thosha nuk është fare shqetësuese në procesin ku jemi aktualisht”, thotë Kadia për A2 CNN
Në ndryshim nga përfaqësuesi i qeverisë, kryetarja Komisionit parlamentar të Integrimit, demokratja Jorida Tabaku si dhe ish-Ministrja e Integrimit Klajda Gjosha, pretendojnë se amnistia fiskale dhe pasaportat e arta mund të kthehen në një pengesë të Shqipërisë në rrugën e e integrimit europiane.
“E cenojnë rëndë këtë proces. Cenojnë parimin e barazisë para ligjit, lidhen me pastrimin e parave, por edhe me dy kritere shumë të rëndësishme, që ne e kemi detyrë vazhdimisht, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, thotë Tabaku. “T’i vendosësh Shqipërisë një barrikadë të tillë, të cilën Komisioni Europian por edhe shtete të tjera të rëndësishme partnere kanë thënë “jo”, madje ka dokumente që vërtetojnë pse nuk duhet Shqipëria të ketë këto nisma dhe rrezikun që ato sjellin”, thotë Gjosha.
Nga shoqëria civile organizata Lëvizja Europiane në Shqipëri, e specializuar në çështjet e integrimit, , mendon se BE nuk do ta tolerojë Shqipërinë të ecë përpara me pasaportat e arta. Gledis Gjipali sjell eksperiencën e vendeve të tjera të unionit. “Aktualisht, Malta është paditur në Gjykatën Europiane të Drejtësisë pikërisht për shkak të abuzimit me këtë sistem. Edhe Mali i Zi që e ka bërë vitin e kaluar, nuk ka pasur rezultat pozitiv”, thotë Gjipali.
Pavarësisht kritikave të unionit qeveria shqiptare ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se nuk do të tërhiqet, të paktën nga amnistia fiskale. Kryeministri ka thënë do të bëhet me çdo kusht, ndërsa i ka propozuar BE që të monitorojë të gjithë procesin.