Protestuesit antiqeveritar bllokuan rrugët dhe sulmuan aeroportin ndërkombëtar në qytetin e dytë më të madh të Perusë, Arequipa.
Mbështetësit e ish-presidentit të majtë Pedro Castillo dolën në rrugë të zemëruar pas shkarkimit dhe arrestimit të tij.
Dina Boluarte, pasardhësja dhe ish-zëvendësja e tij, propozoi shtyrjen e zgjedhjeve të përgjithshme me dy vjet deri në prill 2024 në përgjigje të protestave.
Por Castillo i konsideroi planet e Boluarte një “lojë të pistë”.
Të paktën shtatë persona kanë vdekur në përleshjet me forcat e sigurisë që kur shpërthyen protestat për shkarkimin e Castillo të mërkurën e kaluar.
Ai u akuzua për korrupsion dhe u arrestua për përpjekje për të shpërndarë Kongresin e kontrolluar nga opozita, vetëm disa orë përpara se të votohej për shkarkimin e tij.
Në një letër të shkruar me dorë që ai e publiki të hënën, e quajti Boluarte një “uzurpatore” dhe tha se ishte “rrëmbyer dhe poshtëruar”.
Mbështetësit e Castillo argumentojnë se Boluarte nuk u zgjodh nga populli. Ata po kërkojnë që Peruja të mbajë zgjedhje të reja, ndërsa disa kërkojnë gjithashtu mbylljen e Kongresit dhe lirimin e Castillo.
Protestuesit bllokuan rrugët dhe u vunë flakën automjeteve të hënën, dhe rreth 2.000 u vërsulën në aeroportin në qytetin jugor të Arequipa, duke bllokuar pistën dhe duke detyruar që të pezulloheshin fluturimet për disa orë. Policia i shpërndau me gaz lotsjellës.
Në një fjalim televiziv drejtuar kombit, Boluarte, gruaja e parë që udhëheq Perunë, tha se do të paraqiste një projektligj në Kongres për të mbajtur zgjedhjet në prill 2024, në vend të prillit 2026.
Boluarte tha se do të propozonte gjithashtu reforma kushtetuese për të arritur “një sistem qeverisjeje më efikas, transparent dhe pjesëmarrës”, por nuk hyri në detaje rreth këtyre reformave.
Lëvizja përfaqëson një kthesë. Boluarte, e cila u betua si presidente të mërkurën, tha pas marrjes së detyrës se ajo do të mbaronte plotësisht pjesën e mbetur të mandatit pesëvjeçar të Castillo në detyrë.
Javën e kaluar gjykata vendosi që Castillo të mbahej në paraburgim për shtatë ditë, ndërsa po kryhet një hetim nëse ai duhet të akuzohet për rebelim.
Mënyra se si Boluarte po menaxhon protestat shihet si një test kyç për presidencën e saj dhe nëse ajo do të jetë në gjendje të mbajë pushtetin deri në prill 2024.
Politika e Perusë ka vuajtur nga paqëndrueshmëria për vite me radhë, me legjislativin dhe ekzekutivin pothuajse vazhdimisht në mosmarrëveshje.

