Një skandal me përmasa të rënda financiare dhe institucionale dyshohet se ka ndodhur në Bashkinë Memaliaj, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit shqiptar një dëm të vlerësuar rreth 5 milionë euro. Bëhet fjalë për procedurën e prokurimit publik me numër reference REF-86357-02-09-2021, që lidhet me ndërtimin e Ujësjellësit Rajonal për fshatrat Vasjar, Iliras, Qesarat, Anë Vjosë, Toç, Lulëzim, Zhulaj, Krahës dhe qytetin Memaliaj, me burim financimi nga Buxheti i Shtetit dhe vlerë financiare 487,378,589 lekë.
Procedura është shpallur më 10.02.2021, me afat aplikimi deri më 09.04.2021, datë në të cilën është shpallur edhe subjekti fitues me vlerën maksimale të fondit limit. Njoftimi i fituesit është bërë më 09.06.2021 dhe kontrata është lidhur më 14.06.2021 me shoqëritë KEG sh.p.k. dhe ED sh.p.k., në kohën kur Bashkia Memaliaj drejtohej nga ish-kryetari Gjolek Guci.
Problematika kryesore e këtij rasti lidhet me faktin se Agjencia e Prokurimeve Publike e ka klasifikuar këtë tender si problematik dhe e ka shënuar me “Red Flag”, duke evidentuar mungesën e garës reale dhe rrezikun e lartë për shkelje të legjislacionit, sjellje joetike dhe praktika korruptive, çka tregon se procedura dyshohet se është zhvilluar pa konkurrencë efektive.
Projekti ishte parashikuar të përfundonte brenda 24 muajve, por edhe sot, disa vite më vonë, ai nuk ka përfunduar. Dyshohet se ky prokurim publik është favorizuar dhe mbështetur nga dy kryetarë bashkie në dy mandate të ndryshme, fillimisht nga ish-kryetari Gjolek Guci, i cili shpalli dhe lidhi kontratën, dhe më pas nga kryetari aktual i Bashkisë Memaliaj, Albert Malaj, i cili nga viti 2023 e në vijim ka vijuar zbatimin dhe likuidimin financiar të këtij projekti.
Sipas informacioneve të siguruara nga burime konfidenciale, dyshohet se kryetari aktual ka likuiduar fatura fiktive për punime që nuk janë kryer realisht nga subjektet përfituese, duke mos marrë masa për pezullimin apo verifikimin e një tenderi të konsideruar të paracaktuar dhe problematik që në nisje.
Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, janë kryer punime pa leje ndërtimi, të cilat në vend që të ndaloheshin nga Bashkia dhe Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit, janë miratuar dhe paguar. Gjetjet e Kontrollit të Lartë të Shtetit janë gjithashtu alarmante, pasi nga auditimi rezulton se ujësjellësi nuk është i pajisur me lejet përkatëse ligjore dhe se nuk janë marrë masa për pajisjen me to, pavarësisht rekomandimeve të lëna më herët.
Më tej, KLSH ka konstatuar se ndërtimi i ujësjellësit po realizohet vetëm me rreth 40% të fondit të dhënë, dhe ky projekt po ndërtohet nga kompania projektuese “K” sh.p.k., fakt që ngre dyshime serioze se rreth 60% e fondit të akorduar mund të jetë abuzuar dhe përbën tregues të qartë të shpërdorimit të fondeve publike.
Burime pranë kofidenciale bëjnë me dije se edhe preventivi i punimeve dyshohet të jetë tejet i fryrë, me shtim të zërave të panevojshëm ose fiktivë, duke rritur artificialisht vlerën e projektit. Ndërkohë, banorët e zonës vazhdojnë të vuajnë mungesën e furnizimit normal me ujë të pijshëm, ndërsa miliona euro nga buxheti i shtetit dyshohet se janë shpërdoruar.
Ky rast pritet të përbëjë objekt hetimi për institucionet e drejtësisë, përfshirë SPAK-un, për të verifikuar procedurat e prokurimit, likuidimet financiare dhe përgjegjësitë penale të zyrtarëve vendorë dhe subjekteve private të përfshira.
