Site icon

Dy fytyrat e SPAK/ Kryetarin e Bulqizës e denoncoi Rrok Gjoka dhe e prangosën, ndërsa krye bashkiakun Kreshnik Hajdari e kallëzuan banorët e Lumasit, por prokurori i dosjes Altin Dumani, pushoi çështjen me argumentin se nuk ka prova korrupsioni…

Arrestimi i krye bashkiakut të Bulqizës, Lefter Alla, sipas provave të akuzës së SPAK është i argumentuar, por me dy standarde të shefave të SPAK, në goditjen e korrupsionit, madje në një rast tjetër të ngjashëm, ndodhur në të njëjtin muaj e vit e me të njëjtën vlerë financiare.

Bëhet fjalë, për krye bashkiakun e Kuçovës, Kreshnik Hajdari, i kallëzuar në SPAK nga banorët dhe studio ligjore “Jurisprudenca”, ekspertët e së cilës paraqitën prova për aferën korruptive 3.6 milionë Euro, në tenderin e Ujësjellësit të zonës Lumas- Kuçovë.

Pas afro 1 vit hetime, në muajin maj 2022, prokurori i çështjes Altin Dumani, aktualisht kryetar i SPAK, pushoi çështjen ndaj krye bashkiakut të Kuçovës, Kreshnik Hajdari për favorizim të firmës “Salillari” dhe korrupsion në tenderin e Ujësjellësit Lumas, duke ia kaluar dosjen prokurorisë së Beratit, vetëm për ndërtim pa leje, dosje që u pushua edhe atje.

Një ditë më parë, me akuzën korrupsion në tender ujësjellësi, shefi i SPAK, Altin Dumani, firmosi arrestimin e kryetarit të Bulqizës, ndërsa para 1 viti për të njëjtën aferë e vlerë më të madhe në tender ujësjellësi, Dumani pushoi çështjen e kryetarit të Kuçovës, Kreshnik Hajdari.

Dy fytyrat e SPAK në ndëshkimin e korrupsionit, në këto dy krime të  njëjta, janë këto:

1. Krye bashkiakun Lefter Alla të Bulqizës e denoncoi Rrok Gjoka i kompanisë “Gjoka Konstruksin”, miku i Edi Ramës, si hakmarrje ngaqë u skualifikua në tenderin e ujësjellësit me vlerë 3.2 milionë Euro; dhe SPAK u vu menjëherë në lëvizje e prangosi krye bashkiakun, duke i quajtur të sakta provat e denoncuara nga Rroku i Ramës.

2. Krye bashkiakun e Kuçovës, Kreshnik Hajdari e kallëzuan banorët e Lumasit dhe ekspertët e tyre ekonomik e juridik, me prova të shumta shkresore për korrupsion në tenderin 3.6 milionë Euro të Ujësjellësit Lumas, por SPAK e pushoi çështjen ndaj tij, ngaqë tenderin e kishte marrë  Pëllumb Salillari, ndërsa lejen mjedisore false ia kishte dhënë ministri Blendi Klosi.

Në rastin e ujësjellësit të Bulqizës, nëse tenderin do ta kishte marrë Rroku i Ramës; pa asnjë dyshim që krye bashkiaku Lefter Alla nuk do prangosej sikur ta denonconin 1000 kompani të tjera; dhe sot ai nuk do ishte në qeli, por kandidat e në fushatë me kryeministrin Edi Rama.

Në rastin e ujësjellësit të Lumasit në Kuçovë, nëse tenderin nuk do ta kishte marrë Pëllumb Salillari, me provat e korrupsionit që u paraqitën në kallëzimin penal, krye bashkiaku Kreshnik Hajdari do ishte arrestuar, por nuk u prek sepse skenaristi dhe hajduti është Salillari i Edi Ramës dhe sponsor i Blendi Klosit.

SPAK e pushoi çështjen për krye bashkiakun e Kuçovës, me argumentin se nuk ka prova korrupsioni, kur në atë tender u vodhën 2.2 milionë Euro me zëra punimesh fiktive e preventivë fals./Pamfleti

Exit mobile version