Site icon

Eskluzive: Saranda nën plumba e tritol, autorët shëtisin të lirë, viktima në pranga, policia me sy mbyllur e armë të çakërdisura

Saranda vijon të përjetojë ditë pas dite një atmosferë që ngjan më shumë me një skenar filmi kriminal sesa me një qytet turistik të qetë të jugut. Pas plagosjes së dyfishtë me armë që ndodhi ditën e enjte në mes të ditës në një lokal në lagjen nr. 3, katër persona janë shpallur në kërkim nga policia: Ramadan Zoto (alias Canaj), Erjon Canaj, Artan Murtaj dhe Klaus Jaçaj.

Ndërkohë që autorët lëvizin lirshëm dhe bashkë me ta edhe plumbat, në pranga përfundon një nga viktimat e ngjarjes, Gëzim Hajdaraj, pasi në çantën e tij u gjet një armë pistoletë pa leje. Viktimë apo fajtor? Në Sarandë tashmë kjo varet nga kë kontrollojnë më parë, jo nga kë qëllon më parë.

Sipas policisë, Ramadan Zoto, një emër i njohur për drejtësinë greke dhe shqiptare, me precedentë penalë për vrasje dhe armëmbajtje pa leje, është personi që ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar për të vrarë dy të rinjtë, por aktualisht është në arrati bashkë me vëllain e tij Erjon Canaj dhe dy të tjerët që rezultojnë të përfshirë në konflikt. Gjatë përleshjes që nisi për “motive të dobëta”, Zoto qëlloi disa herë duke lënë të plagosur Ernest Lamën dhe Gëzim Hajdarajn, të cilët më pas u transportuan me helikopter drejt Tiranës për mjekim më të specializuar.

Por surprizat nuk mbarojnë me kaq, si për të vulosur se autoriteti i shtetit është thjesht një legjendë urbane, sot në mesnatë një sasi e konsiderueshme tritoli shpërtheu në banesën e Klaus Jaçajt, vetëm pak metra larg Spitalit të Sarandës, duke shtuar më tej klimën e terrorit dhe pasigurisë.

Sot në mesnatë, tensioni në Sarandë mori një tjetër kthesë dramatike kur një sasi e konsiderueshme tritoli shpërtheu në banesën e Klaus Jaçajt, njërit prej personave të shpallur në kërkim për plagosjen e ndodhur ditën e enjte, duke tronditur jo vetëm lagjen pranë Spitalit të Sarandës, por edhe gjithë qytetin që tashmë ndodhet në një gjendje pasigurie të thellë. Shpërthimi, i cili ndodhi vetëm pak metra larg institucioneve publike dhe në një orar kur qyteti është më i ekspozuar, shihet si një përshkallëzim i drejtpërdrejtë i konfliktit të mëparshëm me armë, duke ngritur dyshime për përfshirjen e grupeve kriminale që po e përdorin Sarandën si arenë hakmarrjesh dhe demonstrimi force, ndërsa shteti duket gjithnjë e më shumë në rolin e spektatorit.

Banorët janë të alarmuar, ndërsa autoritetet po kontrollojnë me një ritëm qesharak, por pa rezultat. Dëshmitarë të rastit thonë se shpërthimi ishte i fuqishëm, por ndërkohë policia ende nuk ka një pistë të qartë për autorët e vendosjes së tritolit, duke ngritur dyshime serioze për përfshirje të grupeve të strukturuara kriminale që veprojnë me një ndjenjë të frikshme pandëshkueshmërie.

Policia në vendngjarje vijon të mbledhë prova, ndërkohë që autorët janë të zhdukur pa gjurmë. Ironikisht, i vetmi person që ka përfunduar në pranga nga gjithë kjo histori është njëri prej të plagosurve. Në Shqipërinë e drejtësisë së çalë dhe të armëve që flasin para ligjit, duket se të shtënat nuk mjaftojnë më tani edhe tritoli flet.

E qytetarët e Sarandës nuk kërkojnë më rend, por thjesht pak qetësi. Sepse për drejtësinë shqiptare, të qëllosh me armë është çështje kohe dhe arratisje, por të mbash një armë për t’u mbrojtur, qoftë dhe në çantë, është krim që ndëshkohet menjëherë. Ende nuk dihet nëse ka viktima apo të lënduar, ndërsa shpërthimi i fuqishëm shihet si përshkallëzim i drejtpërdrejtë i konfliktit të mëparshëm me armë, duke ngritur dyshime të forta për përfshirjen e grupeve kriminale që po e përdorin Sarandën si arenë hakmarrjesh dhe mesazhesh mafioze, në një kohë kur shteti dhe organet e rendit vijojnë të heshtin e të mos kapin asnjë nga autorët.

Exit mobile version