Nga një investim i trumbetuar si ‘shembull suksesi europian’, në një monument të heshtur dhe të shkatërruar nga korrupsioni. Kjo është historia e incerenatorit të Elbasanit, që ka konsumuar 9 milionë euro fonde publike dhe sot është një makineri e ndryshkur, jashtë funksioni në zemër të një qyteti që mbytet nga plehrat. Dhe në qendër të kësaj fasade që ka rrëzuar besimin e publikut në shtet, qëndron kryebashkiaku Gledis Llatja një figurë që nuk ka guxuar kurrë të japë llogari për këtë dështim, e as të kërkojë hetim për ata që kanë përfituar nga kjo skemë kriminale.
Incerenatori i Elbasanit u promovua që në vitin 2016 si një arritje e teknologjisë moderne për Shqipërinë. Në atë kohë, përmes një kontrate të drejtpërdrejtë, pa garë dhe pa transparencë, qeveria shqiptare dhe bashkia e Elbasanit angazhohen për ndërtimin dhe funksionimin e këtij incerenatori.
Por çfarë ndodhi në të vërtetë? U ndërtua një objekt me pretendime të mëdha teknologjike, u pompuan miliona euro nga buxheti i shtetit, u inaugurua në mënyrë spektakolare për qëllime propagandistike, dhe sot pas vetëm pak vitesh është jashtë funksioni totalisht. Asnjë kilogram mbetje nuk përpunohet. Asnjë sistem nuk është funksional. Makinat e bashkisë nuk çojnë më asgjë në impiantin që është kthyer në relike.
Sipas të dhënave nga raportimet publike dhe hetimet e nisura nga SPAK për skemat e inceneratorëve, për impiantin e Elbasanit janë paguar mbi 9 milionë euro. Kjo shumë është alokuar për ndërtim, operim dhe mirëmbajtje. Por në mungesë të transparencës dhe kontrollit, askush nuk e di: ku shkuan këto para? Kush i mori? A janë kryer pagesa edhe pasi impianti ka ndaluar së funksionuari? Dhe mbi të gjitha: ku është përgjegjësia e bashkisë Elbasan?
Kryetari aktual i Bashkisë Elbasan, Gledis Llatja, nuk ka dhënë kurrë asnjë deklaratë serioze, asnjë konferencë shtypi, asnjë sqarim mbi këtë dështim miliona-euroshe që ka ndodhur nën hundën e tij.
Ai e ka konsideruar incerenatorin si “projekt vizionar për pastrimin e qytetit”, ndërkohë që Elbasani noton në plehra dhe makineritë e impiantit janë mbuluar nga pluhuri dhe ndryshku. Përse nuk është nisur asnjë auditim i brendshëm? Përse nuk është kërkuar asnjë kallëzim penal? Pse qytetarëve nuk u është dhënë asnjë raport financiar mbi fondet publike të përdorura?
Ky nuk është thjesht një dështim administrativ apo një gabim teknik. Është një skemë e mirëorganizuar kriminale që ka konsumuar miliona euro të taksapaguesve shqiptarë për një impiant që sot nuk ekziston në praktikë.
Rasti i Elbasanit është pjesë e dosjes së njohur të inceneratorëve që përfshin edhe Fierin dhe Tiranën. Në qendër të saj janë emrat tashmë të dënuar ose të akuzuar si Lefter Koka dhe Alqi Bllako. Por drejtësia ende nuk ka trokitur në dyert e pushtetit lokal, aty ku lejet janë dhënë, vendimet janë firmosur dhe mashtrimi është zbukuruar si arritje.
Qytetarët e Elbasanit nuk kërkojnë më premtime. Ata kërkojnë llogari. Duan të dinë kush i vodhi, kush i mashtroi dhe kush i tradhtoi. Në një vend normal, një projekt që konsumon 9 milionë euro dhe rezulton tërësisht i dështuar, do të çonte automatikisht në dorëheqje, ndjekje penale dhe rikuperim fondesh. Në Shqipëri, ai promovon karrierën politike dhe shton cinizmin në çdo fjalë publike.
Incerenatori i Elbasanit është jo vetëm një gropë e zezë financiare, por edhe një turp institucional. Nëse drejtësia nuk e ndëshkon këtë rast, ai do të mbetet si dëshmi e qartë se në këtë vend, mund të harxhosh miliona për asgjë, të mbetesh pa u ndëshkuar – dhe madje të quhesh reformator.

