Në Shqipërinë ku drejtësia varet nga njohjet dhe jo nga ligji, vjen një tjetër rast që do të mbetet pa ndëshkim, me shumë gjasa, nëse heshtim.
Kujtim Zema, ish-shoferi personal i kryetarit të Bashkisë Kuçovë dhe i drejtorit të Albpetrol, është kapur në flagrancë me cigare kontrabandë. Jo në ndonjë skutë të errët, por në dyqanin e tij, ngjitur me tregun e Kuçovës, ku tregtoheshin lirshëm dhe publikisht cigaret pa banderolë.
Burime të afërta me ngjarjen bëjnë me dije se organet e kontrollit e kanë dokumentuar rastin me prova të pakundërshtueshme, cigare pa akcizë, të futura në mënyrë të paligjshme dhe të ofruara për shitje si të ishin karamele.
Por ndërsa qytetarët e zakonshëm ndëshkohen për mungesën e një kuponi tatimor, në rastin e Kujtimit, drejtësia ndaloi për të pyetur “kë ke pas vetes?”.
Përgjigjja është e thjeshtë, Kujtimi ka shërbyer në krah të pushtetit vendor dhe atij energjetik. Dhe kur je i “besuar” nga partia, kapja në flagrancë nuk është problem është keqkuptim.
Drejtues të lartë të Partisë Socialiste në zonë, sipas dëshmive të brendshme, kanë ushtruar ndikim të drejtpërdrejtë për të ndaluar arrestimin.
Prokuroria? Hesht. Policia? Në pritje të direktivës. Qytetarët? Tashmë e kanë kuptuar që ligji në Shqipëri është si rrjeta e merimangës, kap vetëm të dobëtit.
A do të veprojë Prokuroria pas këtij rasti? Apo edhe ky dosje do të përfundojë në arkivat e harresës, aty ku shkojnë dosjet e të “paprekshmëve”?
Ndërkohë, dyqani është i mbyllur për sy të huaj, por dyshimet janë të hapura, nëse nuk ka arrestim për këtë rast të qartë si drita e diellit, çfarë tjetër duhet të ndodhë që drejtësia të lëvizë?
Kujtimi vazhdon të ecë i qetë në qytet.
Cigaret ishin pa banderolë, por mbrojtja ishte me vulë politike.

