Site icon

Kërkoi shqyrtim nga Dhoma e Madhe, Strasburgu i jep të drejtë Vettingut dhe rrezon sërish ish-gjyqtaren Xhoxhaj

Strasburgu ka marrë vendimin e radhës, për rastin e ish-gjyqtares së Kushtetueses, Altina Xhoxha.

Kjo e fundit më herët ka çuar në Strasburg ekipin e vettingut për shkarkim të padrejtë nga detyra, por më datë 9 shkurt 2021, Gjykata e Strasburgut dha vendimin e parë.

Në atë vendim thuhej se nuk ka asnjë shkelje të Konventës së të Drejtave të Njeriut, duke rrëzuar padinë e ish-gjyqtares, që më herët kishte çuar në gjykatë vendimin për shkarkimin e saj, të cilin e konsideroi si të pabazuar.

Pas këtij vendimi Xhoxhaj kërkoi që çështja e saj të shqyrtohej nga Dhoma e Madhe, por është lënë në fuqi vendimi i datës 9 shkurt 2021, duke legjitimuar vendimin e trupës së vettingut për ish-gjyqtares Altina Xhoxhaj.

Altina Xhoxhaj, ish gjykatëse e Gjykatës Kushtetuese u largua nga detyra në 3 maj 2018. Sipas KPK, Xhoxhaj nuk justifikoi dot pasurinë e saj. KPA gjithashtu mbështeti vendimin e organit të parë duke e larguar atë nga drejtësia.

U gjetën probleme në deklaratën e pasurisë, vendime që ishin dhënë në konflikt interesi, shuma të mëdha parash, mungesë burimesh financiare për blerjen e një apartamenti 109 metra katrorë në 2005 dhe probleme me një copë tokë në Gjirin e Lalzit.

Vendimi është pritur me interes nga të shkarkuarit, por edhe nga ata që janë në proces gjykimi.

Vendimi i Gjykatës:

Komisioni Evropian, në emër të Bashkimit Evropian, dorëzoi parashtrime si palë e tretë në çështje.

1. Pajtueshmëria me parimin « nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e krijuar me ligj »

Pasi arriti fillimisht në përfundimin se neni 6 zbatohej vetëm në aspektin civil të tij, Gjykata çmoi se organet e vetingut ishin ngritur dhe formuar në mënyrë të ligjshme dhe kishin qenë « gjykatë e krijuar me ligj », për shkak të bazës ligjore mjaftueshmërisht të qartë (duke iu referuar Kushtetutës dhe Ligjit të Vetingut) e cila parashikonte ngritjen e KPK-së dhe të Kolegjit të Apelimit, për shkak të juridiksionit dhe kompetencave të tyre ekskluzive për të kryer rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve,

Gjykata nuk e gjeti të bazuar pretendimin për mungesë të pavarësisë së KPK-së dhe Kolegjit të Apelimit. Ajo nuk pati dyshime për mënyrën e zgjedhjes të anëtarëve të organeve të vetingut, pasi zgjedhja e tyre kishte qenë në përputhje me procedurën ligjore. Dokumentet në dosje treguan se, pas emërimit të tyre, ato nuk i ishin nënshtruar ndonjë presioni nga pushteti ekzekutiv gjatë shqyrtimit të rastit të kërkueses. Mospërzgjedhja e anëtarëve të organeve të vetingut nga trupa e gjyqtarëve aktualë ishte në përputhje me frymën dhe qëllimin e procesit të vetingut, në veçanti në përpjekje për të shmangur ndonjë konflikt të interesit dhe për të garantuar besimin e publikut në këtë proces. Kohëzgjatja e mandatit të tyre ishte e pranueshme duke patur parasysh natyrën e jashtëzakonshme të procesit të vetingut. Gjykata arriti në përfundimin që legjislacioni i brendshëm kishte parashikuar garanci ndaj palëvizshmërisë së tyre si dhe për funksionimin e duhur të organeve të vetingut.

Përsa i përket paanshmërisë, Gjykata vuri re se nuk kishte dyzim të roleve të KPK-së: detyrimi ligjor për të filluar hetimin ishte automatik dhe nuk kushtëzohej nga ngritja e ndonjë « akuze » për shkelje disiplinore ndaj kërkueses; gjetjet paraprake të tij ishin bazuar mbi informacionin që ndodhej në dosje kur ende nuk ishin marrë parasysh argumentet mbrojtëse të kërkueses; dhe ai e kishte marrë vendimin mbi përgjegjësinë disiplinore të kërkueses mbi bazën e të gjitha parashtrimeve që ishin bërë, duke përfshirë provat që kishte paraqitur dhe argumentet që ajo kishte ngritur në seancë publike. Sipas Gjykatës, fakti që KPK-ja kishte bërë gjetjet paraprake në rastin e kërkueses nuk përbënte dyshim të justifikuar në mënyrë objektive për anshmërinë e tij. Përsa i përket Kolegjit të Apelimit, Gjykata çmoi se kërkuesja nuk kishte paraqitur ndonjë argument thelbësor. Gjykata vlerësoi që Kolegji i Apelimit kishte patur juridiksion të plotë për shqyrtimin e shkaqeve të ankimit të kërkueses dhe kishte dhënë një vendim të detajuar në rastin e saj.

Gjykata arriti në përfundimin se nuk kishte patur shkelje të nenit 6 § 1 përsa i takonte pretendimit për mungesën e pavarësisë dhe paanshmërisë të organeve të vetingut.

2. Pajtueshmëria me detyrimin për një proces të rregullt

Gjykata përsëriti se nuk ishte detyra e saj të zëvendësonte gjykatat e brendshme. U takonte kryesisht autoriteteve të brendshme, sidomos gjykatave, të zgjidhnin probleme të interpretimit të të drejtës vendase dhe të vlerësimit të provave.

Së pari, Gjykata vuri re se fillimi i hetimit nga KPK-ja kishte qenë në përputhje me ligjin. Në përfundim të tij, gjetjet paraprake i ishin bërë me dije kërkueses. Sipas Gjykatës, gjetjet e hetimit duhet t’i kishin mundësuar kërkueses të kuptonte peshën e atyre gjetjeve paraprake dhe të përgatiste mbrojtjen e saj. Kërkuesja, e cila ishte e përfaqësuar nga një avokate e zgjedhur prej saj, kishte paraqitur një mori argumentesh dhe parashtrimesh. Nuk kishte ndonjë tregues se ajo nuk kishte patur kohë dhe mundësi për të përgatitur një mbrojtje të kënaqshme.

Gjykata vlerësoi se pretendimi i kërkueses se KPK-ja kishte fshehur disa prova ishte « vetëm një hamendësim » i pambështetur mbi ndonjë provë në dosje. KPK-ja kishte patur juridiksion të plotë mbi të gjitha çështjet faktike dhe ligjore dhe kishte marrë vendim duke dhënë arsye të mjaftueshme në përgjigje të argumenteve kryesore të kërkueses.

Së fundi, Gjykata vendosi se Kolegji i Apelimit kishte ushtruar juridiksion të plotë në procedurat e zhvilluara përpara tij, në përputhje me ligjin, dhe kishte shqyrtuar çdo shkak të ankimit të kërkueses, përfshirë edhe refuzimin për të pranuar prova të reja, duke dhënë arsye të mjaftueshme për vendimin e tij.

Si rrjedhojë, Gjykata arriti në përfundimin se nuk kishte patur shkelje të nenit 6 § 1 në lidhje me pretendimin për parregullsinë e procedurave.

3. Pajtueshmëria me detyrimin për të mbajtur një seancë publike përpara Kolegjit të Apelimit

Gjykata përsëriti se, sipas jurisprudencës së saj, ajo kishte thënë se e drejta për një seancë publike nënkuptonte të drejtën për një seancë dëgjimore përpara të paktën një shkalle gjykimi. Për më tepër, Gjykata u shpreh se, vetëm në raste përjashtimore, procedurat disiplinore ndaj gjyqtarëve mund të zhvilloheshin pa asnjë seancë dëgjimore.

Gjykata konstatoi se përpara KPK-së, i cili ishte i pavarur dhe i paanshëm, ishte zhvilluar një seancë publike dhe se kërkuesja nuk kishte kërkuar një seancë dëgjimore përpara Kolegjit të Apelimit, i cili, gjithsesi, kishte dhënë arsye të mjaftueshme për mosmbajtjen e një seancë publike. Për shkak të natyrës së procedurave në apel, gjatë të cilave kërkuesja kishte patur mundësi të plota të paraqiste argumentet e saj me shkrim, dhe faktin se nuk kishte qenë e nevojshme të pyetej ndonjë dëshmitar ose të merrej ndonjë provë tjetër gojarisht, mbajtja e një seance publike nuk kishte qenë e domosdoshme.

Si rrjedhojë, Gjykata arriti në përfundimin se nuk kishte patur shkelje të nenit 6 § 1 në lidhje me pretendimin për mungesë të një seance publike përpara Kolegjit të Apelimit.

4. Respektimi i parimit të sigurisë juridike

Gjykata theksoi se afatet e parashkrimit janë të rëndësishme për respektimin e sigurisë juridike.

Megjithatë, Gjykata shtoi se kontrolli i pasurive, duke qenë një masë në luftën kundër korrupsionit, paraqiste tipare të veçanta, pasi pasuritë normalisht akumulohen gjatë gjithë jetës dhe autoritetet e brendshme kishin detyrimin të vlerësonin ligjshmërinë e të gjitha pasurive të fituara nga subjektet e vlerësimit.

Gjykata vuri re se përfundimet e pafavorshme ndaj kërkueses kishin të bënin me deklarimet që ajo kishte bërë në deklaratën e pasurisë të vetingut dhe në deklaratat e pasurisë të viteve të mëparshme. Fakti që kërkuesja ishte vendosur në një pozicion disi të vështirë për të justifikuar ligjshmërinë e burimeve fillestare financiare, të cilat kishin shërbyer si bazë për blerjen e apartamentit prej 101 m2 , ishte shkaktuar pjesërisht nga mosdeklarimi i asaj pasurie nga kërkuesja në kohën kur ajo e kishte blerë atë pasuri. Përveç kësaj, kërkuesja nuk kishte dorëzuar asnjë provë që të justifikonte ekzistencën e një pamundësie objektive për të justifikuar ligjshmërinë e burimeve financiare, e cila ishte një rrethanë lehtësuese e parashikuar në Ligjin e Vetingut. Për më tepër, fakti që barra e provës i kishte kaluar kërkueses pas gjetjeve paraprake në procedurat e vetingut nuk ishte në vetvete arbitrare.

Si rrjedhojë, Gjykata vendosi se nuk kishte shkelje të nenit 6 § 1 në lidhje me pretendimin e shkeljes të parimit të sigurisë juridike.

Neni 8

Gjykata u shpreh se shkarkimi nga detyra përbënte një ndërhyrje me të drejtën e kërkueses për respektimin e jetës private, ndërhyrje e cila kishte qenë në përputhje me të drejtën e brendshme dhe në interes të qëllimeve legjitime sipas Konventës. Shkarkimi nga detyra ishte mbase masa disiplinore më e rëndë që mund të jepej ndaj një personi, e cila kërkonte prova shumë bindëse të shkeljeve etike dhe profesionale. Në vlerësimin e domosdoshmërisë për marrjen e kësaj mase, Gjykata mori parasysh « nevojën e domosdoshme shoqërore » në Shqipëri për të reformuar sistemin e drejtësisë për shkak të nivelit të lartë të korrupsionit në gjyqësor.

Për të vlerësuar nëse arsyet e dhëna nga organet e vetingut kishin qenë « të përshtatshme dhe të mjaftueshme », Gjykata shqyrtoi shkaqet që kishin çuar në shkarkimin nga detyra të kërkueses, në veçanti vlerësimin e pasurive dhe të aftësive profesionale.

Përsa i përket vlerësimit të pasurive, ajo vuri re se kërkueses i ishte kërkuar të justifikonte të ardhurat e ligjshme fillestare që kishin shërbyer për blerjen e pasurive të saj. Gjykata nuk identifikoi ndonjë përfundim arbitrar ose qartazi të paarsyeshëm në vendimet e brendshme që kishin vendosur se kërkuesja kishte qenë palë kontraktore në blerjen e apartamentit prej 101 m2 dhe se ajo nuk e kishte deklaruar atë pasuri për disa vite. Gjykata iu referua parimeve ndërkombëtare të cilat kërkojnë që gjyqtarët t’u përmbahen standardeve të larta të integritetit edhe në administrimin e interesave të tyre private jashtë detyrës – përtej çdo qortimi sipas këndvështrimit të një vëzhguesi të arsyeshëm – në mënyrë që të ruajnë dhe forcojnë besimin e publikut dhe të rivendosin besimin në integritetin e gjyqësorit. Gjykata, gjithashtu, mori parasysh përfundimet e vendimeve të brendshme se kërkuesja nuk kishte zotëruar të ardhura të mjaftueshme për të justifikuar gjendjen e likuiditeteve për disa vite, se ajo nuk kishte deklaruar origjinën e depozitave në llogaritë e huaja bankare dhe se bashkëjetuesi i saj, në kundërshtim me ligjin, nuk kishte deklaruar për disa vite një shumë të madhe parash që ai e mbante në gjendje « cash ».

Përsa i përket vlerësimit të aftësive profesionale, Gjykata vlerësoi se, duke u bazuar në rrethanat e çështjes aktuale, organet e vetingut nuk kishin dhënë arsye të mjaftueshme për të justifikuar përfundimin se ishte cenuar besimi i publikut në sistemin gjyqësor për shkak të mostërheqjes së kërkueses nga gjykimi kushtetues. Për më tepër, Gjykata theksoi se, për një vend të vogël si Shqipëria, nuk mund të kërkohej tërheqja automatike e një gjyqtari i cili kishte lidhje gjaku me një gjyqtar tjetër që kishte marrë pjesë në një gjykim tjetër në lidhje me një ose të gjitha palët e procesit. Pavarësisht këtij përfundimi, Gjykata çmoi se përfundimet e nxjerra në lidhje me vlerësimin e pasurive ishin mjaftueshmërisht të rënda sipas të drejtës së brendshme sa të justifikonin shkarkimin nga detyra të kërkueses.

Duke iu referuar përfundimeve të organeve të brendshme, Gjykata vlerësoi se shkarkimi nga detyra i kërkueses kishte qenë proporcional. Ekzistenca e një game të kufizuar të masave disiplinore në Ligjin e Vetingut ishte në pajtueshmëri me frymën e procedurave të vetingut, të cilat, duke qenë një proces unik, kishin si qëllim të pastronin sistemin e drejtësisë nga elementët e korruptuar dhe të ruanin pjesën e shëndetshme të tij. Për më tepër, ajo çmoi se ndalimi i përhershëm për të rihyrë në sistemin e drejtësisë për shkak të shkeljeve të rënda etike, i cili ishte vendosur nëpërmjet një ligji tjetër dhe gjente zbatim edhe ndaj kërkueses dhe personave të tjerë të shkarkuar nga detyra, kishte qenë i pajtueshëm me garantimin e integritetit të detyrës të magjistratit dhe të besimit të publikut në sistemin e drejtësisë. Ky ndalim ishte akoma më i justifikuar për shkak të kontekstit kombëtar të një shteti të së drejtës në konsolidim e sipër.

Si rrjedhojë, nuk kishte patur shkelje të nenit 8 të Konventës.

Exit mobile version