BBC raporton se dyshohet se një pjesë e emigrantëve, të cilët ishin në varkën që u mbyt teksa po kalonte kanalin anglez, mund të kenë vdekur.
Raportuesi Simon Jones konfirmoi për BBC se disa prej personave në varkë kanë ndërruar jetë, ndërkohë që ende nuk dihet numri i tyre apo kombësia.
Nga ana tjetër autoritetet britanike ende nuk kanë konfirmuar nëse ka viktima.
Një operacion kërkim shpëtimi është duke u zhvilluar në vendin ku varka filloi të shfaqte shqetësime, rreth 30 milje në perëndim të Dover.
Sekretarja e Brendshme britanike, në një reagim në Twitter tha se “mendimet e saj të përzemërta” ishin me personat e përfshirë.
“Jam në dijeni të një incidenti shqetësues në Kanal këtë mëngjes dhe jam duke u përditësuar vazhdimisht. Agjencitë po përgjigjen dhe urgjentisht po përcaktojnë faktet e plota. Mendimet e mia të përzemërta janë me personat e përfshirë”, shtoi Sekretarja e Brendshme Suella Braverman.
Roja bregdetare e Mbretërisë së Bashkuar, Marina Franceze dhe një ambulancë ajrore u dërguan të gjithë për të ndihmuar në operacionin e kërkim-shpëtimit.
Një varkë peshkimi në zonë dhe helikopterë të rojes bregdetare nga Lydd dhe Lee on Solent u përfshinë gjithashtu.
Shërbimi i Ambulancës së Bregut Juglindor tha se u thirr pas raportimeve të incidentit në orën 03:40 GMT dhe dërgoi ekuipazhet përkatëse në Dover, në Kent, për të ndihmuar me operacionin pasues.
Ministria e Mbrojtjes tha se ishte në dijeni të incidentit dhe agjencitë po mbështesnin reagimin e koordinuar.
Gjatë natës të së martës, temperaturat ranë në 1C, duke bërë që temperaturat e ulëta të kenë qenë të papërballueshme për disa nga të pranishmit në varkë.

