Qendra tregtare “Megatek” është kthyer në vatër krimesh. Në harkun kohor të 8 muajve, janë plagosur dy të mitur dhe ka vdekur një tjetër brenda kësaj qendre dhe askush nuk mban përgjegjësi.
Në korrik të vitit 2022 u plagosën dy të mitur, të cilët ranë nga skela gjatë punës. Njëri pësoi dëme të shumta dhe u dergj për javë të tjera në spital, ndërsa tjetri mori dëmtime disi më të lehta. Për të qenë më të saktë, 7. 7. 2022, dy të mitur ranë bashkë me koshin e vinçit duke punuar në “Megatek”. Mjeti i punës që drejtohej gjithashtu nga një minoren për shkak të peshës që po ngrinte, duke përfshirë dhe dy minorenët në lartësinë 9 metra, është këputur. E. Alla dhe K. Dusha ranë në tokë dhe morën dëmtime të rënda. Por ngjarja u mbyll dhe askush nuk u ndëshkua.
Por sot ndodhi një ngjarje akoma dhe më e rëndë, pasi një 32-vjeçar ka vdekur gjatë punës në “Megatek”. Mësohet se i riu Ledjan Dervishi është aksidentuar nga një mjet pune (pirun) që drejtohej nga shtetasi Eduart Dauti, 62-vjeç. Fillimisht Dervishi është dërguar në spitalin e Traumës për ndihmë mjekësore, por fatkeqësisht ndërroi jetë disa orë më vonë. Vetë policia është kujdesur të mos e tregojë emrin e qendrës tregtare ku ndodhi aksidenti.
“Paraditen e sotme, në ambientet e jashtme të një qendre tregtare, dyshohet se shtetasi L. D., 32 vjeç, punonjës i kësaj qendre tregtare, është dëmtuar aksidentalisht nga një mjet pune (pirun) që drejtohej nga shtetasi E. D., 61 vjeç. Shtetasi L. D. është dërguar në Spitalin e Traumës dhe pas disa orësh ka ndërruar jetë, për shkak të plagëve të marra. Shtetasi E. D. është shoqëruar në Komisariat, për kryerjen e veprimeve procedurale. Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, thuhet në njoftim.
Pse nga të gjitha qendrat, vetëm te “Megatek” ndodhin të tilla ngjarje? A duhet të mbajë dikush përgjegjësi. /Pamfleti

