Site icon

Nga doganieri i kakavijës në “padron” të syrit të kaltër Sarandë/ Erlis Shalari, bankieri familjar i korrupsionit që gërryen jugun e Shqipërisë

Në Shqipërinë ku drejtësia ka shpesh një çmim dhe gjithçka tjetër ka një lidhje, pak figura përfaqësojnë kaq qartë rrënjën e kapjes së shtetit dhe pasurive publike si Erlis Shalari ish-doganier i Kakavijës, i dyshuar për një sërë aferash korruptive që, si për çudi, asnjëherë nuk përfunduan në ndëshkim.

Në vitin 2017, vetë Ministria e Financave, një nga institucionet që rrallë pranon publikisht dështime të brendshme, kërkoi hetim për punonjësin e doganës Kakavijë, Erlis Shalari, për shkelje të rënda dhe pasurim të pajustifikuar. Dosja ekzistonte. Dyshimet ishin serioze. Por si zakonisht në Shqipëri, kur “një dorë lan tjetrën”, hetimi u përplas në murin e një prokurorie lokale të trembur dhe të nënshtruar.

Kujtdo që njeh realitetin në jug të vendit i është bërë e qartë se Shalari nuk është një “peshk i vogël” që ia hodhi rastësisht. Ai është hallkë e një zinxhiri shumë më të thellë: një zinxhir familjar, politik dhe ekonomik që ka kthyer Gjirokastrën në një çiflig privat ku korrupsioni është ligji i heshtur dhe investimi i sigurt.

Pas viteve në doganë, me të ardhura që kurrsesi nuk justifikojnë stilin e jetesës që pasoi, Erlis Shalari vendosi të “zhvendosë kapitalin” në mënyrë më luksoze dhe më të pastër në dukje: investoi në zonën e mbrojtur të Syrit të Kaltër. Jo si turist, por si “investitor”. Dhe jo si biznesmen i lirë, por si produkt direkt i parave të pista që shteti nuk guxon t’i gjurmojë.

Sot, Syri i Kaltër, një nga pasuritë natyrore më unike të Shqipërisë, është kthyer në pronë private, të veshur me firmat e lejeve dhe heshtjen e qëllimshme të institucioneve shtetërore.

Dhe në krye të kësaj loje, si garant, del vetë Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro, e cila jo vetëm që s’e ka ngritur zërin për këtë skandal, por dyshohet se ka miratuar në heshtje këtë “privatizim korruptiv”, në bashkëpunim të ngushtë me interesat klienteliste që vijnë direkt nga Bashkia Gjirokastër.

Erlisit i sigurohet qetësia e një doganieri të dyshuar për korrupsion, që më pas bëhet investitor në një pasuri kombëtare pa asnjë transparencë publike? Me një dajë kryetar bashkie, natyrisht.

Flamur Golemi, kryebashkiaku i Gjirokastrës, është daja i Erlis Shalarit. Dhe lidhja nuk është vetëm familjare është garancia politike dhe institucionale që i hap rrugën çdo leje, tenderi apo shkeljeje që Shalari ka nevojë të “rregullojë”.

Një ministër që mbyll sytë para grabitjes së natyrës. Një kryetar bashkie që mbron nipin dhe nxit “investimet familjare”. Dhe një prokurori lokale që ka frikë të hetojë, sepse e di mirë se me kë ka të bëjë. SPAK, a do t’i ftojë ndonjëherë në zyrat e veta këta që sillen sikur janë të paprekshëm?

Nëse SPAK ka vërtet mision të godasë “peshqit e mëdhenj”, dosja e Shalarit, Kumbaros dhe Golemit është testi real i guximit institucional. Jo sepse është e vetmja aferë, por sepse është simbol i gjithçkaje që ka shkuar keq në këtë vend: familjarizimi i pushtetit, legalizimi i vjedhjes dhe dhunimi i pasurive publike për interes të klaneve politike.

Apo edhe kësaj radhe SPAK do heshtë, sepse në këtë rast korrupsioni ka emra të njohur, mbiemra të fortë dhe mbështetje politike deri në majë të piramidës shtetërore?

Exit mobile version