Shqipëria është bërë vendi i absurdit. Në çdo cep të saj, qytetarët luftojnë me jetesën, me çmimet që rriten çdo ditë, me pagat që s’mbulojnë as bukën e gojës, ndërsa protagonistët e korrupsionit shëtisin të lirë, duke e kthyer luksin në sport kombëtar.
Simboli më i freskët i kësaj ironie tragjike është Lel Kaja, administratori i inceneratorit të Elbasanit. Ky emër, i lidhur ngushtë me një nga aferat më të rënda financiare në vend, sot shfaqet si turist VIP në Mykonos, duke pirë shampanjë e duke u argëtuar me modele, sikur pas tij të mos rëndonte një dosje me 9 milionë euro të vjedhura dhe një incenerator të shkrumbuar me flakë.
Por në Shqipëri, gjithçka është e mundur. Kushdo që vjedh miliona nga taksat publike, përfundon duke u shëtitur nëpër brigjet e Egjeut, ndërsa ai që nuk paguan një gjobë 5 mijë lekëshe, mund të shkojë i shoqëruar në gjykatë.
Kjo është “drejtësia e barabartë” e vendit tonë, për qytetarin e zakonshëm, ligji është si një çekan që të bie mbi kokë; për administratorët e inceneratorëve, ligji është një fllad veror në Mykonos që freskon pushimet.
Lel Kaja, njeriu që nuk i dha Elbasanit një incenerator funksional, por një gropë të zezë financiare, sot qesh nëpër fotografi luksoze, ndërsa qyteti i tij mbytet në tym e në ndotje.
Ai nuk është thjesht një njeri i arratisur në luks. Ai është fytyra e një shteti të dështuar, ku drejtësia bëhet sipas përkatësisë, ku SPAK ngurron të prekë të mëdhenjtë, por merret me të vegjlit. Sepse deri më sot, për skandalin e inceneratorëve kemi dëgjuar konferenca shtypi, deklarata të forta, akuza me tone dramatike, por zero rezultate konkrete. Dhe ndërkohë që ne flasim për reforma, integrime dhe ligj, Lel Kaja i tund gishtin drejtësisë nga jahti i tij luksoz.
Le ta themi hapur, drejtësia shqiptare është nën provë dhe po dështon me turp. Ajo që duhej të ishte dosja simbol e luftës kundër korrupsionit është shndërruar në dosjen simbol të pandëshkueshmërisë.
SPAK hesht, qeveria bën sikur nuk sheh, opozita e përdor si retorikë, ndërsa paratë e shqiptarëve janë kthyer në bileta për Mykonos. Dhe kush e pëson? Qytetarët. Ata që paguajnë taksa, ata që ndotin mushkëritë me tym, ata që çdo ditë ndihen më të varfër dhe më të braktisur.
Nëse sot një administrator plehrash ka luksin të tallet me gjithë sistemin tonë të drejtësisë, çfarë sinjali po u jepet brezave të rinj? Se vjedhja shpërblen, se korrupsioni nuk ndëshkohet, se krimi paguan më shumë sesa ndershmëria.
Për fat të keq, Mykonos nuk është një destinacion turistik i Lel Kajës, është një metaforë. Një metaforë e një Shqipërie ku pushtetarët dhe klientët e tyre notojnë nëpër luks, ndërsa qytetarët mbyten në varfëri e padrejtësi.
Dhe ndërsa shqiptarët presin që SPAK të zgjohet, Kaja vazhdon pushimet. Sepse në fund, inceneratorët dogjën plehrat e qytetarëve, por mbi të gjitha dogjën shpresën e tyre për drejtësi.
Historia e inceneratorëve është shembulli më i pastër se si korrupsioni në Shqipëri nuk është thjesht një fenomen i rastësishëm, por një industri e ndërtuar me kontrata, koncesione dhe pushtet. Dhe një nga emrat që lidhet drejtpërdrejt me këtë industri është Lel Kaja, administratori i inceneratorit të Elbasanit, njeriu që sot shijon Mykonos-in, ndërsa qytetarët e tij thithin tym.
Le të kujtojmë shkurt kronologjinë, 2014 – Qeveria miraton koncesionin për ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit, me një vlerë rreth 22 milionë euro. Premtimi: modernizim i qytetit, pastrim i mjedisit, menaxhim europian i mbetjeve.
2015-2017 – Faturat fillojnë të derdhen si lumi Shkumbin, ndërsa inceneratori ende nuk punon me kapacitet. Qytetarët shohin më shumë tym sesa teknologji.
2018-2020 – Në vend që të ketë raportim për performancë, shfaqen shifra marramendëse. Miliona euro derdhen nga buxheti i shtetit për mirëmbajtje dhe shërbime që askush nuk i sheh.
2021 – SPAK hap hetime mbi aferën e inceneratorëve. Shpresa ringjallet. Por çfarë ndodhi më pas? Dosja u fut në sirtar, politikanët u bënë spektatorë, ndërsa administratorët u zhdukën si me magji.
2022-2023 – Inceneratori i Elbasanit digjet në rrethana të dyshimta. E gjithë Shqipëria e kupton, jo vetëm paratë u vodhën, por edhe gjurmët u zhdukën. Një akt që tingëllon si “vetëpastrim” financiar.
2024-2025 – Lel Kaja shfaqet në Mykonos, duke u bërë simboli i pandëshkueshmërisë. Nga tymi i Elbasanit tek parfumi i jahtit luksoz, ky është tranzicioni më i shpejtë ekonomik në historinë e Shqipërisë.
Ironia është therëse, inceneratorët që duhej të ishin “projekti ekologjik i shekullit”, u kthyen në bankomatin e shekullit për disa individë. Elbasani sot është më i ndotur se kurrë, por dikush në Mykonos po jeton ëndrrën. Dhe SPAK, që premtoi “goditje të forta ndaj korrupsionit”, vazhdon ta shohë skandalin si një dosje fakultative për pas orarit të punës.
Le ta themi qartë, inceneratorët nuk ishin projekte për pastrimin e mbetjeve, por për pastrimin e parave. Dhe Lel Kaja është simboli i kësaj formule.
Një administrator i thjeshtë nuk mund të shndërrohet në milioner pa një rrjet politik dhe ekonomik që e mbron. Heshtja e institucioneve, mungesa e hetimeve serioze dhe arratisja e parave në detin Egje janë prova të një korrupsioni të orkestruar nga maja e piramidës.
Sot, shqiptarët kanë një pyetje të thjeshtë, Pse duhen hetuar qytetarët për faturat e dritave, kur 9 milionë euro fluturojnë në Mykonos pa asnjë pengesë?
Deri atëherë, do të mbetemi peng të një realiteti ku inceneratorët dogjën jo vetëm plehrat e qytetit, por edhe çdo iluzion për drejtësi. Dhe ndërsa Elbasani vazhdon të jetojë mes tymit, Lel Kaja qesh me të madhe, duke ngritur një dolli tjetër në brigjet e Greqisë, për llogari të një Shqipërie që i paguan pushimet.

