Premtimi i Edi Ramës për “pasaportën europiane” u paketua në fushatë si zgjidhje magjike: voto sot, nesër zgjohesh me Europën në xhep. Vetëm se në Shqipëri, edhe kur flasim për Europën, nuk i shpëtojmë dot zakonit tonë më kombëtar: standardi ndryshon sipas emrit. Për qytetarët ka leksione për ligjin, radhë dhe “durim”. Për VIP-at ka qetësi, riciklim dhe një fjali që i mbyll të gjitha: “mos e politizoni”.
Në këtë atmosferë, rasti i Bardhyl Kollçakut, ish-deputet dhe ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm, është ilustrues. Emri i tij shfaqet në lidhje me dosjen e Limionit në Sarandë, një pasuri publike me peshë strategjike (bazë/territor i Forcës Detare) dhe me interes të madh ekonomik, ku SPAK ka kryer hetime dhe Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën për sekuestrim preventiv të “Bazës Ndihmëse, Limion, Sarandë”, duke argumentuar se disponimi i kësaj prone nga privatë cenon gatishmërinë dhe operacionalitetin e Forcës Detare.
Dhe këtu nis “komedia e integrimit” në versionin shqiptar, ndërsa qeveria flet për BE-në, standardet dhe pasaportën europiane, në realitet dosjet e rënda për pasuri strategjike nuk prodhojnë atë që do të ishte reagimi minimal në një vend normal, pra distancim politik dhe llogaridhënie. Përkundrazi, prodhojnë heshtje, mjegull dhe një lloj sjelljeje sikur asgjë s’ka ndodhur. Kjo nuk është më rastësi, është model, kur bëhet fjalë për pronë publike dhe vendimmarrje të nivelit të lartë, politika e trajton drejtësinë si lajm që “kalon”, jo si standard që duhet respektuar.
Në vitin 2023 është raportuar se për këtë çështje Kollçaku është paraqitur në SPAK dhe është marrë në pyetje, në kohën kur në Prokurorinë e Posaçme është paraqitur edhe Artur Meçollari (kallëzuesi). Ndërsa në tetor 2025, raportime të tjera mediatike flasin për kontrolle të kryera nga SPAK/BKH në banesë dhe zyrë në kuadër të hetimeve për “portin/privatizimin e Limionit”, ku përmendet edhe emri i Kollçakut mes personave të kontrolluar.
Pra, kemi një situatë ku shteti shqiptar, nga njëra anë, u thotë qytetarëve “po ecim drejt Europës”, ndërsa nga ana tjetër nuk jep as shenjën më të vogël të reflektimit politik kur çështjet e pronave strategjike shkojnë në SPAK dhe prodhojnë masa gjyqësore si sekuestro. Sepse integrimi, në teori, është proces standardish, ndërsa në praktikën tonë, shpesh është proces fjalësh. Qeveria e do Europën si poster, jo si rregull sjelljeje.
Dhe pikërisht këtu “pasaporta europiane” e Ramës bëhet më shumë batutë se program: qytetari e kupton si mundësi për të pasur të drejta e liri si europian, kurse pushteti e përdor si perde për të mbuluar kontradiktat e brendshme. Sepse çfarë kuptimi ka “pasaportë europiane” në një vend ku një bazë detare përfundon në sekuestro preventive dhe askush politikisht nuk mban përgjegjësi, nuk shpjegon, nuk distancohet, nuk vendos standard.
Në fund, problemi nuk është vetëm një emër. Problemi është mesazhi që del nga sjellja e qeverisë: Europa përdoret si slogan për publikun, ndërsa brenda vendit vazhdon logjika “mos trazoni ujërat”. Dhe me këtë logjikë, “pasaporta europiane” rrezikon të mbetet ajo që është bërë shpesh te ne: një premtim i madh për qytetarët dhe një shaka e hidhur për standardet.
Sipas logjikës së re të integrimit, duket se Bardhyl Kollçaku do të jetë ndër të parët që do të marrë “pasaportën e BE-së” të premtuar nga Rama, jo për shkak të reformave, por për shkak të CV-së politike. Ish-deputet, ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm, i përmendur në dosje për Limionin, por sërish në qarkullim, një paketë e plotë “made in Albania”. Ndërsa qytetari i zakonshëm pyet veten kur do hyjë Shqipëria në BE, Kollçaku duket se e ka zgjidhur më shpejt: Europa vjen te ai, pa radhë, pa sqarime dhe pa bezdinë e standardeve. Në këtë version shqiptar të integrimit, pasaporta europiane nuk jepet për meritë, por për peshë politike dhe Kollçaku, mesa duket, e ka peshën e duhur.

