Dokumente zyrtare për kryeministrin që nuk zbaton ligjin, por pazaret mafioze me oligarkun e tij/ Para 1 muaji, Agjencia e Zonave të Mbrojtura dhe IKMT, deklaruan se Bashkia Kuçovë dhe firma “Salillari”, kanë bërë ndërhyrje të paligjshme në këtë kanion “Monument Natyre” dhe u janë bllokuar punimet; ndërsa më 2 shtator 2021, Drejtoria e Basenit Ujor-Seman, i ka konfirmuar studios ligjore “Jurisprudenca”, se nuk u ka dhënë miratim për marrjen e ujit me rrjet tubosh ujësjellësi
Banorët e Lumasit në Kuçovë, nuk do ta ndalin protestën për ujin e tokave dhe të Kanionit Sinec; ndërsa studio ligjore “Jurisprudenca”, po vazhdon betejën që IKMT, Policia e SPAK-u, të zbatojnë ligjin për bllokimin “de facto” dhe ndëshkimin e krimit, që po bëjnë kryebashkiaku Kreshnik Hajdari e oligarku Pëllumb Salillari.
Dy dokumente të tjera zyrtare, provojnë se punimet për ujësjellësin Lumas, janë projektuar, tenderuar e kanë filluar pa leje për përdorimin e burimit ujor, Kanioni Sinec, me status “Monument Natyre”, dhe të asnjë burimi tjetër në atë zonë të mbrojtur.
Ky krim i Pëllumb Salillarit e Kreshnik Hajdarit, është konfirmuar nga Agjensia e Menaxhimit të Burimeve Ujore në Kryeministri, me shkresë nr. 310/3,datë 02.09.2021; dhe me shkresë nr. 304, datë 12.08.2021, nga struktura e saj, Zyra e Administrimit të Basenit Ujor Shkumbin-Seman.
Në të dy dokumentet, që institucionet në vartësi direkte të kryeministrit Rama, i kanë dërguar si përgjigje studios ligjore “Jurisprudenca”; deklarohet se Bashkia Kuçovë dhe firma “Salillari”, nuk kanë marrë leje për përdorimin me rrjet tubo ujësjëllësi, të burimit ujor Kanioni Sinec.
Pra, Agjencia e Zonave të Mbrojtura dhe IKMT në muajt korrik e gusht, kanë konstatuar se kryebashkiaku Kreshnik Hajdari dhe oligarku Pëllumb Salillari, kanë kryer veprën penale: Shkatërrim i zonës së mbrojtur dhe ndërtim pa leje”.
Ndërsa tani, dy institucionet e administrimit të burimeve ujore, konfirmojnë dhe kryerjen e veprës penale, të grabitjes së dhunshme e shfrytëzim të pasurisë ujore publike, pa leje nga shteti.
Këto dokumente, studio ligjore “Jurisprudenca”, që përfaqëson banorët, ia ka dorëzuar SPAK-ut si prova zyrtare, por SPAK po hesht; siç ka lënë në heshtje, kallëzimin penal për dhunën policore ndaj banorëve dhe pazaret e IKMT me oligarkun Pëllumb Salillari pas inspektimit.
Kryebashkiaku i Kuçovës, Kreshnik Hajdari, i ka kryer procedurat e tenderit të ujësjellësit Lumas, pa aplikuar më parë për lejen e marrjes dhe përdorimit të ujit në Kanionin Sinec, që logjikisht është veprim i qëllimshëm, kur ligji e detyron ta kërkojë para fillimit të projektit.
Duke ditur se leja për ujin e Kanionit Sinec “Monument Natyre”, nuk do t’i jepej, kryebashkiaku e bëri tenderin; ia dha firmës “Salillari shpk” me dokumente e garë false dhe e lejoi të fillonte e të vazhdojë punimet, paçka se duhet t’i ndalojë, sipas vendimve të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura e IKMT.
Kryeministri Rama, megjithëse i ka me akte-inspektimi, gjithë shkeljet ligjore që janë bërë në Kanonion Sinec, nuk po urdhëron ndalimin e punimeve dhe nuk po e shkarkon kryebashkiakun e Kuçovës; ndërsa SPAK-u po vazhdon të hesht, për kallëzimet penale ndaj tij e bashkëpunëtorit Pëllumb Salillari në këtë krim mjedisor e pasuror.
KUJTESË PËR XHAMBAZËT KRESHNIK HAJDARI E PËLLUMB SALILLARI
Studio ligjore “Jurisprudenca”, do kërkojë hetime, nëse në dosjen e tenderit të Ujësjellësit Lumas, dy xhambazët; Kreshnik Hajdari i bashkisë dhe Pëllumb Salillari i kryeministrit; kanë futur apo jo leje të falsifikuar për përdorimin e ujit; siç është futur dokumenti i nënkontraktimit të punimeve me firmën e falimentuar “Fled shpk”, lista me firmat e banorëve dhe preventivi i ujësjellësit me 2 milionë Euro fond fiktiv, më tepër se kostoja reale e projektit.