Site icon

Po ne pse nuk paskemi lindur Feruz? Me 2 milionë euro pasuri nga rroga e shtetit

Nëse do të shkruhej një manual për karrierë të shpejtë në Shqipëri, kapitulli i parë do të kishte padyshim emrin e Feruz Bashos. Nga një polic pyjesh i zakonshëm në Sarandë, ai u shndërrua në një “sipërmarrës politik” të suksesshëm. Ironia është se, ndërsa pyjet u shfarosën, karriera e Bashos lulëzoi. Pyjet ranë, por ai u ngrit dhe jo pak.

Në fillim, sipas denoncimeve, u lejuan prerje masive dhe u shit lëndë drusore si të ishte mall privat. Llogaritë dolën mirë: natyra humbi, xhepat fituan. Dhe paratë, siç ndodh rëndom, nuk mbetën vetëm para, ato u kthyen në trampolinë politike. Në Shqipëri, duket se korrupsioni nuk të fundos, përkundrazi të katapulton.

 

Më pas erdhi koha e “politikës së re”. Feruzi u shfaq si lider lokal, duke u veshur me petkun e një politikani energjik, ndërkohë që në prapaskenë fijet i lidheshin me pushtetin qendror. Dhe kur fijet lidhen drejt e në qendër, karriget nuk mungojnë. Njëra prej tyre ishte drejtimi i hidrocentralit të Bistricës, një pasuri strategjike që, sipas akuzave, u kthye në një çiflig të tenderave të fryrë dhe kontratave pa transparencë. Me pak fjalë, energjia që duhej t’i shërbente qytetarëve, shërbeu si gjenerator pasurie për të zgjedhurit.

Por karriera e Feruzit nuk ndalet me kaq. Landfilli i Delvinës ishte stacioni tjetër i radhës. Dhe aty, çudia nuk kishte fund: plehrat paskan peshë të madhe në dokumente, por duket se lehtësohen rrugës. Çdo ton i “shtuar” në fletë shndërrohej në fitim personal. Një skemë e pastër matematikore: më shumë mbeturina në letra, më shumë para në xhepa. Thjeshtë, e qartë dhe, siç duket, e pandëshkuar.

Sot, Basho përflitet për një pasuri që nuk do ta kishte zili as një biznesmen i kalibrit të lartë. Dhjetë apartamente në Sarandë, me një vlerë rreth 2 milionë euro. Nga rroga e shtetit? Vështirë ta besosh. Nga djersa e ballit? Ironia nuk e lejon këtë pyetje. Pasuritë e tij ngjajnë më shumë me ato të një magnati sesa të një administratori publik.

Artikulli ynë nuk ka pse të gjykojë, për këtë janë organet e drejtësisë, të cilat shpesh preferojnë rolin e spektatorit. Por pyetja është e thjeshtë, deri kur Shqipëria do të prodhojë “Feruz” që nga një karrierë e thjeshtë shtetërore shndërrohen në milionerë të pasurive të paluajtshme? Dhe deri kur do të durojmë që pyjet të priten, tenderat të fryhen, plehrat të peshohen dy herë dhe drejtësia të bëjë sikur nuk sheh?

Sepse në fund, pyjet i shkatërroi, energjinë e përdori, plehrat i manipulojë , dhe apartamentet i grumbulloi. Ndërsa qytetari i thjeshtë pyet me ironi, “Po ne pse nuk paskemi lindur Feruz?”

Prokuroria e Posaçme, e krijuar pikërisht për të hetuar korrupsionin e nivelit të lartë dhe për të garantuar që paratë e shtetit të mos kthehen në pasuri private të zgjedhurve, duket se hesht përballë rastit të Feruz Bashos, një simbol të qartë të tranzicionit të dyfishtë ku pyjet u shfarosën, tenderat u frynë dhe plehrat u manipuluan për përfitime personale.

Me dhjetëra apartamente dhe një pasuri që arrin rreth 2 milionë euro, të cilat sipas logjikës së shëndoshë nuk mund të vijnë nga një rrogë shteti, ky rast përfaqëson pikërisht atë lloj korrupsioni që SPAK-u ka detyrë të hetojë.

Heshtja e institucionit krijon përshtypjen se zyrtarët që duhej të ishin përgjegjës për ruajtjen e ligjit dhe interesit publik, po e lejojnë korrupsionin të lulëzojë si model karriere. Në vend që të ndërhyjnë, të hetojnë dhe të çojnë në gjyq çdo shkelje të dyshuar, ata zgjedhin rolin e spektatorit.

Exit mobile version