Site icon

“Prokuroria masakron mafien e mbetjeve në Elbasan/Po në Kuçovë, do guxojë të prekë bosët e plehrave dhe të tenderëve?”

Prokuroria e Elbasanit më në fund ka ndërmarrë një aksion të fuqishëm ndaj mafies së mbetjeve urbane që ka gërryer për vite me radhë Bashkinë e Elbasanit. Me kontrolle në 14 ambiente dhe disa persona të arrestuar, duket se një epokë e re po troket, ku edhe “plehrat” po fillojnë të japin erë në zyrat e drejtësisë. Një emër i madh është në qendër të skandalit – kryetari i bashkisë Gledis Llatja, për të cilin flitet se rrezikon seriozisht arrestimin, edhe pse ai vetë sillet si të mos kishte ndodhur asgjë.

Por ndërsa në Elbasan “operacioni pastrimi” nisi më në fund, një tjetër qytet i vogël, por me erë të madhe korrupsioni – Kuçova, mbetet jashtë çdo hetimi serioz, megjithëse atje afera e mbetjeve është një “krim i organizuar me firmë e me vula”.

Në krye të kësaj afere që po qelb qytetin është kompania “Viola-Green SHPK”, një emër i “rilindur” për pastrimin e qytetit, por që në fakt mban aromën e lidhjeve të thella familjare dhe klienteliste.


Kryetari aktual i Bashkisë Kuçovë, Kreshnik Hajdari, i kallëzuar zyrtarisht në SPAK, akuzohet për favorizim të grupeve kriminale në dhënien e një tenderi gjigand për pastrimin e qytetit.

Tenderi është 1.5 miliard lekë, një kontratë 4-vjeçare nga buxheti i bashkisë, dhe ka përfunduar në duart e kompanisë “Viola-Green”, e cila nuk është thjesht një subjekt privat, por një biznes familjar i rrethit të ish-kryetarit të bashkisë Selfo Kapllani. Konkretisht, Sherif Kapllani, që zotëron 33% të aksioneve në kompani, është djali i vëllait të Selfo Kapllanit.

Pra, në Kuçovë kemi një rast klasik konflikti interesi, përplasjesh klienteliste, dhe një rrotullimi parash publikësh në rreth të ngushtë familjar, ku politika dhe biznesi janë bërë një.

Vetë kompania është themeluar në vitin 2015 dhe, pavarësisht se nuk ka ndonjë histori të spikatur shërbimesh, ka përfituar një ndër kontratat më të mëdha që një bashki si Kuçova ka dhënë ndonjëherë. A thua vallë vetëm për cilësinë e shërbimit? Apo sepse pronarët kanë mbiemra që hapin dyer?

Pavarësisht denoncimeve, Prokuroria ende nuk ka guxuar të “masakrojë” këtë mafie tenderësh, që funksionon si një kompani private brenda Bashkisë Kuçovë.

Guximi i drejtësisë duket se ndalet para emrave që janë të lidhur me zinxhirin politik lokal, ndaj dosjet depozitohen në SPAK, por drejtesia nuk troket në zyrat ku ndahen miliardat.

Pyetja që ngrihet është e thjeshtë, por e rëndë është se në Elbasan drejtësia nisi të lëvizë, a do ta ketë të njëjtin guxim në Kuçovë?
A do të hetohet lidhja mes Kapllanëve, tenderit, dhe Hajdarit?


Apo do të mjaftohemi me një show veror në Elbasan dhe një heshtje të stinës në Kuçovë?

Nëse drejtësia është vërtet e barabartë, atëherë pas mafies së plehrave në Elbasan, radha i takon mafies së tenderëve dhe pronave në Kuçovë.

Sepse nëse “plehrat” nuk pastrohen njësoj në çdo bashki, atëherë nuk kemi drejtësi, por një plan pastrimi selektiv që kalon vetëm andej nga nuk preket pushteti.

Exit mobile version