Site icon

Skandali i korrupsionit, media belge: Eva Kaili i ka kërkuar të atit t’i fshihte 750 mijë eurot! E dinte për valixhet me para në shtëpinë e saj

Eva Kaili i ka kërkuar të atit të fshihte paratë që kishte në shtëpinë e saj, sipas medias belge Le Soir.

Policia belge gjeti një shumë prej 600 mijë eurosh kesh brenda valixhes së babait të eurodeputetes greke.

Ai u kap jashtë një hoteli në Bruksel ku ishte akomoduar së bashku me bashkëshorten e tij. Më pas bastisën banesën e Eva Kailit ku gjetën edhe 150 mijë euro të tjera kesh.

Sipas Le Soir, Eva Kaili ka pranuar se i ka kërkuar të atit t’i fshihte paratë.

“E pandehura pranoi se e kishte udhëzuar të atin që të fshihte paratë”, thotë prokurori Michel Clez, i cili drejton hetimet e Katargate, në dokumentin për arrestimin e Eva Kailit më 9 dhjetor .

Sipas La Repubblica, eurodeputetja ka thënë “është e vërtetë, kam pasur informacion për aktivitetet e Panzerit dhe e kam ditur që në shtëpinë time ka pasur valixhe me para”.

“Kur policia bastisi banesën e partnerit të saj, Eva Kaili u panikos. Përveç udhëzimit të babait të saj që të fshihte shpejt një pjesë të parave, ajo u përpoq të paralajmëronte Panzerin dhe dy eurodeputetë të tjerë për hetimin”, sipas medias belge.

Le Soir raporton gjithashtu se bashkëshorti i saj, Francesco Giorgi pranoi në prokurori se ishte pjesë e një grupi të përdorur nga Maroku dhe Katari për të ndikuar tek evropianët.

“I bëra të gjitha për para që nuk më duheshin”, mësohet se ka thënë ai, i cili akuzohet për pastrim parash, krijimi i një organizate kriminale, korrupsion.

“Giorgi pranoi se kishte vepruar në mënyrë të paligjshme dhe shprehu pendim”, shkruan gazeta italiane La Repubblica.

Rrëfimi i Panzerit

Pas arrestimit dhe zbulimit të 600 mijë eurove kesh në shtëpinë e tij, Panzeri, është detyruar të pranojë pjesërisht përfshirjen e tij në skandalin që tronditi Parlamentin Evropian, shkruan gazeta belge.

“Ai mohoi se eurodeputeti Mark Tarabella ishte marrësi i dhuratave nga Katari, pranoi pjesërisht faktet për korrupsionin dhe ndërhyrjet në favor të Katarit dhe Marokut”, shkruan prokurori Klez në dokumentin për Panzerin.

Exit mobile version