Site icon

A u shmang nga hetimi kushëriri i prokurores? Dyshime për hetim selektiv në dosjen e ndërtimeve pa leje në Ksamil

Hetimet e kryera nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe të ndjekura nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, nën drejtimin e prokurores së çështjes Esmeralda Basho, kanë ngritur pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si është zhvilluar hetimi në lidhje me ndërtimet pa leje në zonën e Ksamilit.

Nga aktet e hetimit rezulton se AMP ka kryer këqyrje në disa zona, përfshirë edhe Ksamilin, ku janë konstatuar një numër i konsiderueshëm ndërtimesh pa leje ose punimesh të dyshuara si të paligjshme. Por, ndërkohë që hetimi është shtrirë ndaj disa personave dhe subjekteve, mbetet e paqartë pse nuk është verifikuar roli i strukturave vendore që kanë pasur detyrimin ligjor për konstatimin, parandalimin dhe raportimin e këtyre ndërtimeve.

Sipas informacioneve të sigurta të administruara nga palët e interesuara, në zonën e Ksamilit ushtron detyrën si punonjës i Policisë Bashkiake shtetasi Ardjan Basho, i cili pretendohet se është djali i xhaxhait të prokurores së çështjes, Esmeralda Basho. Po sipas këtyre të dhënave, Ardjan Basho e ushtron këtë detyrë prej rreth dy vitesh pikërisht në zonën ku janë konstatuar ndërtimet e dyshuara si të paligjshme.

Në këto kushte, lind pyetja kryesore: pse hetimi nuk është shtrirë edhe ndaj punonjësit të Policisë Bashkiake që ka pasur detyrë funksionale në territorin ku janë konstatuar shkeljet?

Policia Bashkiake ka detyrime konkrete për konstatimin e ndërtimeve pa leje, parandalimin e veprimeve të paligjshme në territor, raportimin pranë strukturave kompetente, si dhe ndërhyrjen për shmangien e cenimit të rendit publik, pronës dhe mjedisit.

Nëse në një zonë për dy vite janë kryer ndërtime pa leje ose punime të paligjshme, atëherë hetimi nuk mund të kufizohet vetëm te disa individë të përzgjedhur, por duhet të verifikojë edhe përgjegjësinë e personave që kanë pasur detyrën t’i konstatojnë dhe t’i parandalojnë ato.

Mospërfshirja e Ardjan Bashos në verifikime, pavarësisht funksionit të tij në zonën e Ksamilit dhe lidhjes familjare të pretenduar me prokuroren e çështjes, ngre dyshime të forta për hetim selektiv dhe për trajtim të pabarabartë të personave që mund të kenë dijeni apo përgjegjësi institucionale.

Nëse këto dyshime konfirmohen, atëherë nuk kemi të bëjmë thjesht me një hetim për ndërtime pa leje, por me një problem shumë më serioz: mundësinë që hetimi të jetë orientuar në mënyrë selektive, duke shmangur persona të lidhur me drejtues apo përfaqësues të organit të akuzës.

Exit mobile version