Zbardhen detajet mbi planet e mazhorancës për të shtyrë afatet e vetingut. Në qershor të vitit që vjen Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Komisioneri Publik duhet të mbyllin detyrën, pasi Kushtetuta në nenin 179/b është shprehur qartë se mandati i tyre është pesë vjeçar. Por PS po tenton që të ndërhyjë në Kushtetutë duke e zgjatur këtë mandat. Por pse po tentohet një gjë e tillë dhe a ka pasoja nëse KPK me Komisioneri Publik e mbyllin misionin? Në momentin që është hartuar kjo dispozitë është bërë e qartë se nëse nuk është mbyllur procesi, futen në lojë KLGJ dhe KLP. “Mandati i anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Komisionerit Publik është 5 vjet nga data e fillimit të funksionimit tyre, ndërsa mandati i gjyqtarëve të Kolegjit të Apelimit është 9 vjet. Pas shpërbërjes së komisionit, çështjet e papërfunduara të rivlerësimit shqyrtohen nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, sipas ligjit. Çështjet e papërfunduara të rivlerësimit të prokurorëve shqyrtohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, sipas ligjit”, thuhet në Kushtetutë. Por në nenin 179/b, pika 8, ka një përcaktim tjetër interesant, i cili fut në lojë SPAK dhe Gjykatën Kushtetuese. Sipas këtij neni, Kolegji i Posaçëm i Apelimit vijon punën me dosjet që ka në dorë, ndërkohë që rolin e Komisionerit Publik do e marrë SPAK, ndërsa atë të KPA, do e marrë Gjykata Kushtetuese. “Pas shpërbërjes së komisionerëve publikë, kompetencat e tyre ushtrohen nga Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme. Ankimet ndaj vendimeve të komisionit ende të papërfunduara do të shqyrtohen nga Gjykata Kushtetuese”, thuhet në nen. Pyetja që shtrohet është: A po tentohet të zgjatet mandati i KPK për të shmangur SPAK dhe Kushtetuesen duke qenë se janë organe më pak të ndikueshme? Mbetet të shihet se si do të veprohet, por PD dhe PS thuhet se kanë nisur negociatat.
Qëndrimet e socialistëve
Pak ditë më parë lidhur me këtë çështje foli deputeti i PS, Arben Pëllumbi. Në një intervistë televizive, ai u shpreh se lidhur me zgjatjen e procesit të vetingut, duhet që të gjendet një gjuhë e përbashkët me opozitën. Pëllumbi theksoi, se janë duke filluar bisedimet me opozitën lidhur me këtë. “Gjuha e përbashkët duhet të gjendet me opozitën. Ndryshimet kushtetuese do të bëhen me opozitën, ne nuk i kemi numrat në Kuvend, prandaj duhet të biem dakord me opozitën. Janë duke filluar bisedimet e para për të bashkëpunuar me opozitën, për ndryshimet kushtetuese. Do të gjejmë gjuhën e përbashkët me Partinë Demokratike”, tha ai. Ndërkohë ONM ra dakord me zgjatjen e afateve, por kërkoi konsultim me Venecian. Në përputhje me mandatin e monitorimit që i është dhënë ONM-së nga Kushtetuta e Shqipërisë, ONM konsideron se është me rëndësi parësore që të përfundojnë të gjitha rastet e verifikimit në pritje në periudhën më të shkurtër të mundshme kohore, duke ruajtur konsistencën dhe integritetin e procesit. Për të arritur këtë rezultat, është e nevojshme një zgjatje e kufizuar në kohë e mandatit kushtetues të anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe të Institucionit të Komisionerëve Publikë. Është në kompetencën e autoriteteve shqiptare të përcaktojnë afatet e sakta të një shtrirjeje të tillë, në konsultim të ngushtë me aktorët përkatës, përfshirë Komisionin e Venecias”, thuhet në reagimin e ONM.