Site icon

“Rëra është e të gjithëve… por veç me fature!”, Ligji për plazhet publike fundoset, shteti bën rolin e pushuesit VIP

Ndërsa kalendari shënon nisjen e sezonit veror, plazhet shqiptare shënojnë një tjetër sezon të turpit institucional dhe grabitjes së hapësirës publike. Ligji është i qartë: 30% e çdo plazhi duhet të mbetet i lirë dhe publik. Por në realitetin e sotëm, 100% e bregdetit duket se i është dhuruar biznesit privat, në një skemë që kombinon indiferencën e institucioneve me etjen për fitim të shfrenuar.

Bëhet fjalë për një zaptim të heshtur, por të organizuar mirë, ku qytetarët përballen me shezlongë të shtrenjtë, çadra të detyrueshme dhe kufizime fizike që i ndalojnë të shkojnë deri te deti pa paguar. Hapësira publike është shndërruar në një mall me çmim, ndërsa shteti është kthyer në garantin e paligjshmërisë.

Në terren, është e pamundur të gjesh një cep të lirë ku të shtrihesh pa paguar. Aty ku dikur shijoje rërën dhe detin me një peshqir, sot të pret një shezlong me fature. Dhe nëse nuk ke lekë, të pret një vështrim mosbesues nga rojet e vendosur nga bizneset, që shpesh sillen si pronarë të territorit publik.

Ironia e madhe? Agjencia Kombëtare e Biznesit, që teorikisht duhet të kontrollojë dhe garantojë rregullsinë, është e zhytur në heshtje. Dyshimet për korrupsion dhe favore të ndërsjella janë të shumta, por asnjëherë të hetuara seriozisht. Mjafton të hedhësh një sy në lejet e dhëna dhe të shohësh se si një pjesë e mirë e bregdetit i është ndarë miqve dhe klientëve të pushtetit lokal dhe qendror.

Kjo situatë nuk është më një neglizhencë – është kapje e drejtpërdrejtë e hapësirës publike, me mbështetjen e një shteti që tallet hapur me qytetarin. Pushuesit nuk janë më të mirëpritur, por të padëshiruar – nëse nuk kanë lekë për të paguar tarifën e “ajrit të detit”.

Exit mobile version