Hetimet e fundit të Prokurorisë së Sarandës për ndërtimet pa leje kanë goditur një pjesë të strukturës së IMT-së, përfshirë ish-drejtuesin Eduart Veliu, inspektorë, policë dhe persona të lidhur me skemën e favorizimit të ndërtimeve pa leje. Por një emër ka mbetur jashtë goditjes: Fatjon Veliu, drejtori aktual i IMT Sarandë.
Fatjon Veliu nuk është person i shkëputur nga kjo strukturë. Ai ka qenë pjesë e të njëjtit rreth administrativ të lidhur me Eduart Veliun dhe me inspektorët e IMT-së, të cilët sot janë në qendër të hetimeve për favorizimin e ndërtimeve pa leje në Sarandë dhe Ksamil.
Pyetja kryesore është: pse Fatjon Veliu nuk u arrestua?
Sipas denoncimeve, Fatjon Veliu dyshohet se ka dhënë informacion për inspektorët e IMT-së dhe për ish-drejtuesin Eduart Veliu, duke përdorur lidhjen e tij të ngushtë me një prokurore të Sarandës. Kjo lidhje dyshohet se ka shërbyer si kanal komunikimi, përmes të cilit ai ka orientuar informacionin drejt hetimit, me qëllim për të shpëtuar veten dhe për ta zhvendosur goditjen penale te të tjerët.
Pra, ndërsa Prokuroria e Sarandës goditi ish-drejtuesin Eduart Veliu dhe pjesë të strukturës së IMT-së, Fatjon Veliu mbeti i paprekur. Jo vetëm kaq, por ai vijon të ushtrojë detyrën në krye të IMT Sarandë.
Ky fakt e bën çështjen edhe më të rëndë. Më datë 14 nëntor 2023, Fatjon Veliu rezulton i proceduar penalisht. Pavarësisht këtij fakti, ndaj tij nuk janë marrë masa reale, nuk është pezulluar nga detyra dhe nuk është hetuar deri në fund roli i tij në strukturën e IMT-së. Ndërkohë, Fatjon Veliu rezulton edhe me aktivitet privat me NUIS L74508803P, në fushën e qendrave të gjuhëve të huaja dhe kurseve të formimit profesional, me adresë në Sarandë, Lagjja nr. 4, rruga “Ismail Qemali”, godina nr. 1, kati i parë.
Sipas denoncimit, ky aktivitet është ushtruar pa licencën përkatëse nga institucionet përgjegjëse, përfshirë Ministrinë e Arsimit dhe strukturat e licencimit. Nëse një qytetar i zakonshëm do të ushtronte aktivitet pa licencë, ligji do të vepronte menjëherë. Por në rastin e Fatjon Veliut, institucionet kanë heshtur.
Kjo ngre disa pyetje të rënda: Pse nuk u kontrollua biznesi privat i Fatjon Veliut? Pse nuk u verifikua licencimi i aktivitetit? Pse nuk u hetua konflikti i interesit mes funksionit publik dhe aktivitetit privat? Pse nuk u morën masa pas procedimit penal të datës 14 nëntor 2023? Pse Fatjon Veliu mbeti jashtë goditjes së Prokurorisë, ndërkohë që struktura e IMT-së u godit për ndërtimet pa leje? A ka dhënë ai informacion përmes lidhjes së tij me prokuroren, duke shitur inspektorët dhe kushëririn e tij Eduart Veliu, vetëm për të shpëtuar veten?
Kjo është pista më e rëndë e dosjes.Nëse Fatjon Veliu ka qenë pjesë e strukturës së IMT-së, ka pasur dijeni për praktikat, ka pasur lidhje me ish-drejtuesin Eduart Veliu, ka qenë i proceduar penalisht dhe njëkohësisht ka ushtruar aktivitet privat të palicencuar, atëherë ai nuk mund të trajtohet si person jashtë përgjegjësisë. Ai duhet të ishte objekt hetimi.Jo të vendosej në krye të IMT Sarandë.
Në vijim do të publikohen edhe raste konkrete të aferave korruptive ku Fatjon Veliu rezulton i përfshirë në favorizimin e ndërtimeve pa leje, me praktika administrative, dokumente dhe emra konkretë.
Deri atëherë, Prokuroria e Sarandës duhet të japë përgjigje: Kush e mbrojti Fatjon Veliun? Kush e la jashtë hetimit? Kush e lejoi të ushtronte detyrën, edhe pse i proceduar penalisht? Kush e lejoi të ushtronte biznes privat pa licencë? Dhe pse drejtori aktual i IMT Sarandë vazhdon të kontrollojë territorin, kur vetë duhet të jetë nën kontrollin e drejtësisë? Fatjon Veliu nuk mund të jetë njëkohësisht drejtues i IMT-së, subjekt privat, person i proceduar penalisht dhe i paprekshëm për Prokurorinë.

