12 kartonë të verdhë dhe 2 të kuq! Di Maria shkëlqen me gol, Benfika fiton Superkupën ndaj Portos

Benfika triumfoi me rezultatin 2-0 ndaj Portos në finalen e Superkupës të zhvilluar në stadiumin “Muncipal” të Aveiros. Një përballje tepër e luftuar mes dy rivalëve të përjetshëm, teksa gjyqtari nxori nga xhepi i tij plot 12 kartonë të verdhë dhe 2 të kuq. Angel Di Maria ishte padyshim një nga më të mirët në fushë për skuadrën e Benfikës. Në minutën e 61-të, ylli argjentinas zhbllokoi sfidën, teksa me një gjuajtje të kalibruar me të majtën, e dërgoi topin në cepin e portës, duke kaluar në avantazh “shqiponjat”.  Për golin e dytë mendoi futbollisti Musa në minutën e 68-të, një gol ky që vulosi edhe suksesin e Benfikës, që shton kështu edhe një trofe në histori. Nuk mungoi edhe tensioni në minutat e fundit, teksa në 90+1, mbrojtësi Pepe u ndëshkua karton të kuq, si dhe në minutën 90+7, gjyqtari përjashtoi edhe trajnerin e Portos, Konsesao. Vlen të theksohet fakti se Porto gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 90+2 me Galeno, por u anulua nga VAR-i për prekje të topit me dorë.