Në Asamblenë e Përgjithshme të Interit është prezantuar bilanci financiar deri në 30 qershor 2022 dhe që në total arrin në një humbje rreth 140 milionë euro. Shifrat mbeten negative, por me një deficit të reduktuar nga 246 milionët që ishte një vit më parë (në sezonin 2020- ’21).
Bilanci pritet të marrë miratimin në votimin që do të bëhet në Asamblenë e muajit të ardhshëm. Por lajmi i mirë është vendimi i grupit “Suning” për të injektuar 100 milionë euro në kapital, një shifër që do ta ndihmonte klubin zikaltër për të minimizuar humbjet.
Ky është marrë si një sinjal i fortë pozitiv nga ambienti zikaltër mes zërave që presidenti Zhang dhe grupi “Suning” po kërkojnë ta shesin klubin prej muajsh.
Një hipotezë e tillë mbetet ende e gjallë dhe konkrete, por vetëm në rast se do të mbërrijë një ofertë joshëse për pronarët aktualë. Sipas “Corriere dello Sport”, Interi do të ketë ndërruar pronësi brenda majit të vitit 2024 dhe për këtë ka pak dyshime. Dhe një datë e tillë nuk është rastësore.
Është pikërisht afati i fundit që presidenti aktual Zhang ka për të kthyer kredinë prej gati 300 milionë eurosh që ka marrë hua nga banka “Oaktree”.
Marrja e një partneri ndërmjetësues si banka amerikane “Raine Group”, e cila mbikëqyri edhe procesin e shitjes së Çelsit nga Roman Abramoviç te Tod Bohli, lë shumë pak vend për dyshime dhe tregon se objektivi është tregu amerikan.
Kështu pronarët e ardhshëm të klubit zikaltër do të jetë një fond në stilin e “RedBird”, ose një konglomerat me interesa të forta në këtë fushë.
E nevojshme do të jetë gjetja e kushteve më të mira të largimit për “Suning”, e cila ka shfaqur aftësi shumë të mira fleksibiliteti, por tashmë duket në fundin e rrugëtimit të vet të menaxhimit të Interit.