Qyteti bregdetar i Sarandës gjatë muajit prill ka tërhequr një numër të lartë turistësh të huaj.
Drejtori i portit të Sarandës, Alket Qendro tha sot për ATSH-në se “760 turistë të huaj kanë hyrë gjatë muajit prill në portin e Sarandës nëpërmjet kroçerave dhe operatorëve turistikë që operojnë në këtë port”.
“Heqja e kufizimeve të pandemisë dhe rikthimi gradual drejt normalitetit po afron gjithnjë e më shumë turistët e huaj drejt vendit tonë dhe qytetit të Sarandës gjatë këtij fillim sezoni turistik”, tha Qendro.
Në portin e Sarandës gjatë muajit prill mbërriti kroçera “Silver Moon”, 213 metra e gjatë dhe 30 metra e gjerë, me 387 turistë në bord dhe flamur të Bahamas, jahti kroçerë “Emerald Azzura” me 76 turistë në bord si dhe anija “Ionan Seaways” me 150 turistë nga Amerika, Franca dhe Anglia.
I përkufizuar si “Qyteti i bardhë”, Saranda është e rrethuar nga kodra dhe përballë saj ndodhet ishulli grek i Korfuzit. Përveç diellit e plazhit, Saranda njihet dhe për historinë dhe kulturën e saj: e magjishme është kalaja e Lëkurësit, ndërsa Parku Arkeologjik i Butrintit kuriozon turistët e shumtë me historinë e tij mijëravjeçare.