Gjykata e Vlorës ka marrë sot vendimin ‘arrest me burg’ për një nga vëllezërit që dhunuan gjykatësin ndërsa ‘arrest shtëpie për 2 vëllezërit e tjerë.
Dalja e tyre nga gjykata u shoqërua me të bërtitura dhe ndërhyrje të familjarëve, të cilët tentuan të hapnin edhe derën e makinës së policisë, teksa thërrisnin se në vend të tyre duhej të ishte gjyqtari dhe jo ata.
“Është një popull i thjeshtë i nderuar në Vlorë. Aty fajin e ka gjyqtari. Hajdut. Lërini plehra, çfarë kanë bërë ore plehra? E ka fajin gjyqtari, se kanë ata ore plehra. O shtet i degjeneruar.Të merr pronën dhe të fut brenda, ky shtet është. Ku është gjyqtari, noteri, administratorët?”, thërrasin familjarët.
Kujtojmë se ngjarja është regjistruar në ambientet e Gjykatës së Vlorës, ku pas një vendimi të dhënë, gjyqtari Arqile Basho 63-vjeç është dhunuar nga të paditurit.
Tre vëllezërit kanë hedhur akuza në drejtim të gjykatësit duke pretenduar se po i grabit pronën dhe se sipas tyre vendimi i gjykatësit është dhënë kundër tyre.
Çështja kishte të bënte me një objekt që thuhet se është marrë nga një firmë ndërtimi për të bërë pallat.