Bypassi problematik i Fierit, Policia kap me radar shoferin e Mercedesit: Lëvizte me 196 km/h

Dhjetëra drejtues mjetesh janë ndëshkuar nga Policia Rrugore për shkelje të rregullave të qarkullimit. 15 prej tyre janë arrestuar në flagrancë pasi drejtonin mjetet përkatëse të dehur dhe pa patentë.

Në rrugën interurbane Tuneli i Krrabës-Tiranë, nga Policia Rrugore e Tiranës janë konstatuar shpejtësi deri në 175 km/h në kulmin e trafikut, ndërsa në Bypass-in e Fierit, Policia Rrugore e Fierit ka konstatuar shpejtësi deri në 196 km/h.

– Si rezultat i kontrolleve janë arrestuar në flagrancë 15 drejtues mjetesh dhe motomjetesh, nga të cilët 12 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 3 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

– Janë pezulluar 40 leje drejtimi, nga të cilat 20 për shpejtësi mbi normat e lejuara, 16 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur dhe 4 për qarkullim në sens të kundërt.

– Janë vendosur 288 masa administrative me vlerë nga 5.000 deri në 22.000 lekë të rinj, për shpejtësi tej normave të lejuara, bazuar në ndryshimet e fundit të Kodit Rrugor.

Gjithashtu janë vendosur 101 masa administrative, me vlerë nga 5.000 deri në 15.000 lekë të rinj, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

– Si rezultat i kontrolleve intensive dhe denoncimeve të adresuara në Komisariatin Dixhital dhe në numrin pa pagesë 112, janë ndëshkuar me masë administrative, në të gjithë vendin, 3151 drejtues mjetesh, për shkelje që sjellin pasoja në jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës.