SHKODËR– Ish-kryetari i Partisë Socialiste në Vaun e Dejës dhe aktualisht anëtar i Këshillit në këtë bashki, Nikolin Huba, është plagosur me armë zjarri mëngjesin e sotëm në Shkodër, në afërsi të shkollës ‘Pyjore’. 54 vjeçari, është qëlluar me armë zjarri pistoletë dy herë në këmbë teksa ndodhej jashtë makinës dhe ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Sakaq policia thotë se po vijon krehja e zonës për kapjen e autorit. Nuk dihet nëse Huba ka pasur konflikte të mëparshme, ndërkohë që së fundmi punonte në hidrocentralin e Komanit si përgjegjës në burimet njerëzore.
‘Më datë 04.09.2021, rreth 10:15, në afërsi të shkollës Pyjore, Shkodër, në rrethana ende të paqarta është plagosur me armë zjarri në këmbë, jashtë rrezikut për jetën shtetasi N. H., 54 vjeç, banues Vau Dejës. Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e Policisë ku vijon krehja e zonës për kapjen e autorit. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet në vendngjarje dhe vijon punë për sqarimin e rrethanave dhe zbardhjen e ngjarjes.’- njofton policia.
Marr nga Shqiptarja.com