Varianti delta i koronavirusit ia ka kaluar të gjitha varianteve të tjera të Covid-it, deklaroi Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Më pak se 1% ka mbetur aktualisht në qarkullim nga variantet alfa, beta dhe gama. Është vërtet “Delta” që dominon në të gjithë botën“, tha Maria Van Kerkhove, drejtuese teknike për COVID-19 në Organizatën Botërore të Shëndetësisë.
Sipas Van Kerkhove, delta është aq i transmetueshëm sa që ka zëvendësuar variantet e tjera që qarkullojnë në të gjithë botën. Qindra njerëz demonstruan të martën në qytetin e dytë më të madh të Australisë kundër kufizimeve të koronavirusit që qeveria vendosi për industrinë e ndërtimit.
Shteti Victoria, ku ndodhet Melburni, raportoi 603 raste të reja të martën, niveli më i lartë deri më tani i infektimeve ditore gjatë këtij viti. Në Zelandën e Re, kryeministrja Jacinda Ardern njoftoi të martën se gjobat për shkeljen e protokolleve të koronavirusit do të rriten duke filluar në nëntor. Bizneset që shkelin kufizimet e koronavirusit mund të përballen me gjoba deri në 10.500 dollarë.
Ndërkohë, guvernatori Jay Inslee, i shtetit perëndimor të Uashingtonit, i kërkoi qeverisë federale ndihmë që të përballohet ngarkesa e spitaleve, pasi varianti delta ka shkaktuar një numër të madh infektimesh.