Qëlloi për vdekje policin e Antidrogës, ndërron jetë te Trauma 21 vjeçari Aldi Rama

Aldi Rama, 21 vjeçari që qëlloi për vdekje paraditen e djeshme efektivin e Antidrogës Saimir Hoxha, ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm në Spitalin e Traumës në Tiranë. I riu u soll në gjendje të rëndë nga Lezha, aty ku qëlloi veten me plumb në kokë duke mos pranuar t’i dorëzohet RENEAS.

Pas më shumë se 6 orë në arrati, i riu u zbulua nga Forcat Speciale dhe u rrethua nga toka dhe ajri në një kanal të zonës, në Vain, shkruan newsbomb.al. Edhe pse nuk është saktësuar ende, dyshohet se gjatë tentativës për t’u larguar, pistoleta Tokarev që Aldi Rama mbante me vete bëri qitje dhe ai mori një plumb në kokë.

Pas disa minutash, Policia shkoi në vendin ku ai ishte fshehur dhe e gjeti të gjakosur. Në momentet e para u mendua se 21 vjeçari kishte ndërruar jetë por më vonë u thirr një autoambulancë dhe Rama u dërgua në spitalin e Lezhës.

Për shkak të gjendjes së rëndë, i riu u nis me urgjencë për në Spitalin e Traumës në Tiranë, i fashuar dhe me oksigjen. Mjekët thanë se shanset që Aldi Rama të jetonte ishin të pakta. Mëngjesin e sotëm bëhet me dije se ai ka mbyllur sytë përgjithmonë, duke mos i mbijetuar dot plagës që i shkaktoi vetes me armë zjarri.

Kujtojmë se, paraditen e djeshme mbeti i vdekur polici 44 vjeçar i antidrogës në Lezhë, Saimir Hoxha. Ai u qëllua me dy plumba nga Aldi Rama, teksa po tentonte t’i bënte kontroll, shkruan newsbomb.al. Polici i vrarë po kthehej nga një operacion për asgjësimin e bimëve narkotike bashkë me dy kolegë të tij.

Kolegët po merreshin me dy shokët e 21 vjeçarit, ndërsa Saimir Hoxha me Aldi Ramën.

I riu bëri rezistencë dhe më pas nxori pistoletën duke qëlluar dy herë drejt policit Saimir Hoxha. Ky i fundit mori një goditje në zemër dhe një në qafë, të cilat rezultuan fatale për babain e dy fëmijëve të mitur. 44 vjeçari u dërgua në spital por ndërroi jetë rrugës.

Për dy kolegët e tij ka nisur një hetim nga SHÇBA për veprimet që kanë ndërmarrë, ndërsa dy shokët e Aldi Ramës ndodhen aktualisht në Polici, edhe pse vet nuk kanë bërë rezistencë gjatë ndalimimit.