Kryetari i PD-së, Lulzim Basha i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama, i cili deklaroi sot se një krizë energjitike sapo ka filluar me rritjen e çmimeve të karburanteve. Për kreun e qeverisë shqiptare kjo është një fatkeqësi e re natyrore e kombinuar me faktorë gjeopolitikë dhe manovra tregtare. Por Lulzim Basha nuk mendon kështu. Kryedemokrati tha se shqiptarët kanë 8 vite që po përballen me çmimet më të larta në rajon dhe akuzoi Edi Ramën se “doli sot për të larë duart para shqiptarëve”.
Lideri i PD-së propozoi një plan me 7 pika për t’u ardhur në ndihmë familjeve shqiptare për të përballuar krizën energjitike, të cilat janë; “Heqja e taksës Rama prej 240 lekë për litër karburanti, ulja e TVSH-së nga 20% në 6% për ushqimet, faturimi me çmime dhe sasinë reale të konsumit të oligarkëve të cilët favorizohen në kurriz të konsumatorëve, subvencionim i çmimit të energjisë për qytetarët, mirëmenanxhim dhe ndalje e shpenzimeve të shfrenuara, luksoze të OSHEE dhe KESH, që janë kthyer në zhvatës të parave të shqiptarëve, ristrukturim të buxhetit për tu përballur me një krizë që nuk mund të ndalet me propagandë dhe fjalime dhe më shumë para për shtresat në nevojë dhe ristrukturim të ekonomisë aktuale, e cila për shkak të politikave të kësaj qeverie është e varur nga paraja e pisët dhe monopolet e oligarkëve” tha Basha.