Vjedhja e dokumentave për pronat e Dhërmiut në Vlorë/ Policia ngre dyshime për bandën e tokave që drejtohet nga Helidon Gjikoka

Banda e tjetërsimit të pronave në zonën e Dhërmit, ka dalë jashtë kontrollit, duke arritur të depërtojë me armë në duar, brenda zyrave të shtetit, e të vjedhin prej andej dosjet me dokumenta që bëjnë fjalë, për pronat në fshatin Dhërmi.

Territori i këtij fshati është mjaft i lakmuar, kohët e fundit për personazhe të lidhur me oligarkët, që duan të ndërtojnë në bregdet dhe për njerës që kanë falsifikuar dokumentat për të tjetërsuar pronat e kushërinjve të tyre.

Tashmë policia, ka nisur hetimet duke marë në pyetje punonjësin e sigurisë së Qarkut Vlorë, aty ku u vodhën dhe dosjet me rregjistrat e formularëve Nr.6, dokumenta këto që përmbajnë të dhënat e sakta të kufitarëve dhe sipërfaqet e gastrave tokësore.

Një nga bandat që vepron me hajdutë, korrupsion dhe musturlluqe të ndryshme është ajo e Ardian Mustës, ish-drejtorit të ALUIZNI në Vlorë që ka masakruar të gjitha pasuritë e ligjshme që ndodhen në bregun e detit dhe që zotërohen nga banorë të fshatit Dhërmi por çuditërisht janë vjedhur nga oligarkë dhe njerës të lidhur me Mustën.

Pjesë e kësaj bande hajdutësh tokash dhe dokumentash, është dhe Helidon Gjikoka, njeriu që ka gati një vit që i fshihet drejtësisë dhe që vepron nga arratia, nëpërmjet veglave të tij që ka në Vlorë.

Për rastin në fjalë, policia e Vlorës ka nisur hetimet dhe për momentin është përqëndruar pikërisht në verifikimin e kamerave të sigurisë, ku një person dallohet qartë, se hyn qetësisht në institucion dhe në dorë mban një send që në dukje është pistoletë.

E habitshme se si ky njeri ka shkuar pikërisht tek zyra e administrimit të Tokave, duke shtuar se ai ka pasur informacion se ku ndodheshin dokumentat dhe se gjithçka mund të jetë kryer në bashkëpunim me zyrtarë dhe ish-zyrtarë të këtij institucioni.

Për momentin policia ka ngritur disa dyshime dhe një ndër to është dhe grupi i vjedhjes së pronave me dokumenta falco që drejtohet nga arratia nga Helidon Gjikoka.

Gjikoka mbahet si personi që ka vjedhur mjaft prona në zonën e Dhërmiut dhe kjo vjedhje tashmë është vërtetuar dhe nga prokuroria e Tiranës dhe ajo e Vlorës, ku disa prej anëtarëve të grupit të Gjikokës janë marë të pandehur. Ndërsa vetë Gjikoka vijon të qëndrojë në arrati duke ju shmangur kërkimeve të policisë.